A është afër përfundimit pandemia?

Për më shumë se dy vjet bota është përballur me pandeminë Covid-19 e cila është përhapur në të gjitha vendet e botës.
Në Kosovë masat antiCovid janë liruar dhe jeta pothuajse është kthyer në normalitet. Megjithatë infektologu, Arben Vishaj për portalin rtv21.tv thotë se pandemia ende nuk ka përfunduar. Edhe pse numrat e rasteve në Kosovë kanë rënë marrë parasysh situatën në vendet tjera të Evropës Vishaj thotë se është vështirë të flitet për një pëfundim të pandemisë.
Ai thotë se situata në Kosovë tani për tani është e qetë.
“Ne ende jemi në periudhën e pandemisë me çdo vaksinë të marrë do të kemi situatën në kontroll, do të kemi të sëmurë dhe vdekje me pak. Për momentin nuk kemi spitale të mbushura me pacient të infektuar. Ditëve të fundit në Gjermani kemi parë raste të shumta të vdekjeve edhe në Itali. Kështu është vështirë të thuhet se kemi përfunduar pandeminë”, thotë Vishaj.
Covid-19 në Kosovë për dy vite e gjysmë u mori jetën 3 mijë e 138 personave. Kurse nga paraqitja e rasteve të para me Covid-19 në mars të vitit 2020 dhe deri tani janë regjistruar 228.144 raste pozitive. Në Kosovë numri i personave të shëruar nga Covid-19 ka arritur në 224, 616.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.827.035 doza të vaksinës. Deri më sot, 822.309 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Kurse me dozën e tretë dhe perforcuese janë vaksinuar 101.985 persona. /21Media

Back to top button