A është e rrezikuar Kosova nga lija e majmunëve

Rastet e lisë së majmunëve janë duke u hetuar në disa vende evropiane, si dhe në SHBA, Kanada dhe Australi, sipas autoriteteve shëndetësore dhe raporteve të mediave lokale.
Rastet e reja u raportuan në Belgjikë, Francë, Australi dhe Gjermani. Kjo pason infeksionet e konfirmuara në Itali, Suedi, Spanjë, Portugali, SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar – ku u raportua rasti i parë evropian.
Mirëpo, Kosova nuk është e rrezikuar nga lija e majmunëve. Drejtori i Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj për portalin rtv21.tv ka thënë se nuk ka raste të tilla në Kosovë dhe sipas tij, kjo sëmundje te ne për momentin nuk paraqet ndonjë problem.
“Sëmundje të tilla çdo vit paraqiten nëpër botë”, ka thënë Vishaj.
Lija e majmunëve është më e zakonshme në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore.
Rastet e sëmundjes jashtë rajonit shpesh lidhen me udhëtimin në zonë.
Lija e majmunëve është një infeksion i rrallë viral, i cili zakonisht është i butë dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar .
Virusi nuk përhapet lehtë mes njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë thuhet se është shumë i ulët, raporton BBC.
Rasti i parë i sëmundjes në Mbretërinë e Bashkuar u raportua më 7 maj. Pacienti kohët e fundit kishte udhëtuar në Nigeri, ku besohet se ishte infektuar me virusin përpara se të udhëtonte në Angli.
Nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunit, por një vaksinë kundër lisë ofron 85% mbrojtje pasi të dy viruset janë mjaft të ngjashëm./21Media

Back to top button