A është paraqitur ndonjë rast i gripit të shpezëve në Kosovë, nga AUV flasin për RTV21

Deri më tani në disa ferma në Shqipëri raportohet të kenë ngordhur rreth 1 milion pula, si pasojë e infektimeve me gripin e shpezëve H5N8. Mirëpo, në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshuar, këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Aktualisht nuk kemi ndonjë rast të dyshuar”, ka thënë ai.
Bazuar në raportin e OIE është lajmëruar prezenca e Sëmundjes Gripi i Shpezëve tipi H5N8 në Shqipëri në zonën e Durrësit.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se si masë parandaluese dje më datën 21.03.2022 është bërë ndalesa e importit nga Shqipëria për regjionin e Durrësit kafshëve të gjalla (shpezëve).
Zyrtari për Informim nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi tutje për rtv21.tv ka treguar se rasti i fundit në Kosovë ka qenë gjatë muajit shkurt të këtij viti, mirëpo sipas tij është menaxhuar situata.
“Jemi në kontakte me autoritetin shqiptar për informata në vazhdimësi lidhur me përhapjen e sëmundjes. Në Kosove kjo sëmundje ka qenë prezente nga muaji maj i vitit 2021 kur edhe i kemi rastet e para të konfirmuara në ekonomitë familjare apo ndryshe që njihen si pula të oborreve. Pastaj nga muaji shtator i kemi rastet të shpërthimit të sëmundjes në fermat komerciale por edhe në këtë vit rast i fundit ka qenë në muajin shkurt të këtij viti. Gjatë gjithë kohës shtabi i reagimit i formuar nga AUV ka qenë aktiv dhe jemi duke e menaxhuar situatën”, ka thënë Thaçi për rtv21.tv.
Ai ka thënë se sëmundja Laringotraheitit është sëmundje virusale e shpezëve e cila nuk e rëndon shëndetin e njerëzve nuk është “zoonoze” dhe për këtë sëmundje fermerët aplikojnë vaksinim të rregullt si masë preventive.
“Deri më tani në Kosove nuk është evidentuar as një rast i kësaj sëmundje të shpezëve. Sëmundja Gripi i Shpezëve tipi H5N8 mund të afektoj njerëzit por me patogjenitet të ulët dhe njeriu mund të preket në kontaktin direkt me shpezët (nëse ekspozohet shumë këtij virusi) por infeksioni kalon me shenja të lehta të gripit të zakonshëm. Kurse sëmundja Laringotraheitit të shpezëve nuk i prek njerëzit vetëm shpezët”, ka sqaruar Thaçi.
Autoritetet e Shqipërisë kanë njoftuar më 20 mars se kanë konfirmuar rastin e parë të gripit të shpezëve./21Media

Back to top button