Kaloni te përmbajtja kryesore

Si të trajtohet mungesa e vetëbesimit te fëmijët?

Vetëbesimi është shkalla në të cilën një fëmijë e pranon veten, jo domosdoshmërisht ai është i  kënaqur me të gjitha veprimet dhe arritjet e veta, por është i vetdijëshëm edhe për ato që duhet t’i ndryshoj duke e ditur që varen nga ai vet.
Sipas psikologes Gzona Hulaj(Qendra për Zhvillim), koncepti i vetëbesimit ndryshon te të rriturit dhe te fëmijët.
“Koncepti i vetëbesimit tek të rriturit dhe fëmijët ndryshon për faktin që të rriturit janë vet përgjegjës për konceptin që ata e krijojnë për veten e tyre, kurse tek fëmijët rol kyç luajnë prindërit, të cilët më ngrohtësinë, sigurinë dhe vlerësimin që ata ju japin fëmijëve të tyre. Mendimi dhe vlerësimit i personave të tjerë ka shumë rëndësi në vetvlerësimin që ne krijojmë, andaj prindërit janë shokët tanë të parë të cilët kanë mendim ndryshe nga ne, në lidhje me mënyrën se si ne po sillemi dhe për veprimet tona”, ka thënë Hulaj për portalin rtv21.tv
Por, si mund të identifikohet vetëbesimi?
“Sigurisht që gjatë rritjes fëmijët përballen me situata të ndryshme që i sfidojnë ata dhe i nxjerrin nga zona e komfortit, psh. kur zhvendosen në një qytet tjetër, kur ndërrojnë shkollën, kur përballen me mendime ndrysha nga të vetat dhe nuk ndihen komfort që t’i ndajnë ato me të tjerët, kjo ndikon që të kenë luhatje të vetëbesimit”, tha Hulaj.
Në cilën moshë mund të kuptoni që vetëbesimi te fëmija është i ulët?
“Në momentin që gjendja e fëmijës të zgjatet më shumë se gjashtë muaj, atëherë mund të themi që ai fëmijë është duke vuajtur nga vetëbesimi i ulët. Një fëmijë që ka vetëbesim të ulët mund të identifikohet lehtë pasi që ata zakonisht preferojnë të qëndrojnë vetëm, nuk kanë shumë shokë, janë të turpshëm dhe në situata sociale nuk ndajnë mendimin me të tjerët”, shtoi më tutje Hulaj nga Qendra për Zhvillim.
Sipas psikologes, shkaktarët ndikues mund të jenë të shumtë dhe të ndryshëm, Hulaj ka listuar disa prej tyre.
“Faktori gjenetik – studimet tregojnë që 27% e rasteve mund të ndikojë edhe faktori gjenetik, porn ë raste kur fëmija nuk ka predispozitë gjenetike për vetvlerësim të ulët, por rritet në një ambient ku nëna ose babai vet kanë vetvlerësim të ulët për vetën atëherë ai e merr dhe rritet me atë model dhe mësohet të mos vlerësoje e dojë veten.
Faktori ekonomik – jo vetëm që kohërat e sotme, por që moti mënyra se si fëmijët vlerësojnë veten ka shumë lidhje me të krahasuarit me të tjerët. E sigurisht kur ajo ndodhë psh. në raste krahasimi me një shok apo shoqe që i ka kushtet ekonomike më të mira, për fëmijën mund të jetë shumë e mirë dhe trendy. Krahasimi i këtyre rasteve nuk është fare i shëndetshëm”, tha psikologia Hulaj.
Hulaj shtoi se çasja familjare është shumë e rëndësishme dhe prindërit luajnë rol kyç në çdo pikë të zhvillimit të vetëbesimit të fëmijës.
“Prindërit kanë rol kyç në çdo pikë të zhvillimit të vetëbesimit të fëmijës, filluar nga mënyra se si ata flasin me fëmijët e tyre pasi që janë personat e parë që reflektojnë me mendime më ndryshe nga mendimet që fëmija mund të ketë, andaj duhet pasur parasysh që të keni mendimet të shëndetshme dhe vlerësuese për fëmijën tuaj”, ka thënë Hulaj.
Shumë me rëndësi te fëmija janë edhe hobi dhe aktivitetet sportive.
“Fëmijët kanë nevojë që pas shkolles të merren me një hobi ose një aktivitet që i bënë ata të përmbushen pavarësisht aksesit në shkollë. Në momentin që fëmëijët merren një aktivitet që ata vet zgjedhin dhe ju pëlqen, i bën ata të ndihen shumë më mirë për veten e tyre dhe fillojnë t’i rrisin vlerat te vetja e tyre”, ka thënë më tej Hulaj.
Çfarë të bëhet në rastet kur fëmija ka mungesë të vetëbesimit, si të stimulohet vetëbesimi që fëmija të rritet shëndetshëm?
“Për të stimuluar vetëbesimin në mënyrë të shëndetshme të fëmija është një detyrë që ju përket prindërve: ndihmoni fëmijën tuaj të planifikojë dhe të blejë një vakt, ndihmoni fëmijën tuaj të identifikojë një hobi, flisni për traditat, njihuni me miqtë e tij/saj, vizitoni bibliotekat, muzetë dhe parqet së bashku, ecni së bashku, kaloni kohë të qetë së bashku, jini në dispozicion, ndihmoni fëmijën tuaj të mësojë zakone të mira trupore, të tilla si larja e duarve dhe larja e dhëmbëve, përgjigju pyetjeve, respektoni nevojat e fëmijës suaj, njihuni me mësuesin e fëmijës tuaj, lexoni së bashku, punoni së bashku në një tabelë detyrash, luaj një lojë së bashku, vizatoni së bashku dhe flisni për vizatimet, pranoni çdo përgjigje në lidhje me tregimet ose artin e tyre, shikoni një revistë së bashku, vallëzoni së bashku etj”, ka thënë për portalin rtv21.tv psikologia Hulaj.
Këshillë nga psikologia Gzona Hulaj, përdorni fjalë të tilla si: “Ke atë që duhet, sa e zgjuar, bravo, më pëlqen, kjo është e bukur, ti meriton një përqafim të madh dhe je kaq i/e zgjuar!”, mundohuni të jeni sa më kreativ dhe së pari ta vlerësoni veten dhe pastaj fëmijën. Fëmijët më shumë mësojnë nga veprimet dhe mënyra se si ju silleni edhe me veten tuaj, andaj mundohuni ta trajtoni sa më mirë që fëmija të ushqehet shëndetshëm me dashuri për veten./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button