A kontrollohet cilësia e ujit në çezmat publike?!

 

Ahmet Loku nga Çairi bashkë me familjen e tij çdo tre muaj vjen të shëtitet në vendin turistik Patishka Rekë. Siç tha, vjen për shkak të ajrit të pastër dhe për të mbushur shishe me ujë nga çezma, sepse konsideron se uji në Patishka Rekë është i pastër.

Por, një qyteta,r i cili me vite të tëra ka mbushur ujë këtu, ka vendosur të bëjë një analizë biologjike të ujit. Rezultatet treguan se uji nuk i plotëson kriteret bakteriologjike të pastërtisë, respektivisht është konstatuar prania e baktereve “esherihija koli” dhe “enterokoki”.

Lidhur me atë se çka shkaktojnë këto baktere në organizmin tonë, TV21 bisedoi me mjekun Mihail Koçubovski.

“Bëhet fjalë për baktere koliforme që mund të shkaktojnë sëmundje infektive të zorrëve te një person i cili nuk është mësuar me ujë të tillë. Supozoj se njerëzit e pinë atë ujë dhe kanë krijuar një zakon, veçanërisht të moshuarit, por tek fëmijët mund të shkaktojë probleme në traktin e zorrëve”, u shpreh Mihail Koçubovski – Specialist i Higjenës në Institutin për Shëndet Publik.

Koçubovski tha se zgjidhja është të bëhet klorimi i ujit, respektivisht dezinfektim nga ana e bashkësisë lokale.

Evgenija Kërstevskës nga Organizata Joqeveritare “Uji për ndryshime” tha se shumë zona rurale dhe grupe të margjinalizuara nuk kanë qasje deri te ujë i pastër.

Uji në këtë vend ishte i pastër, por cilësia e tij është përkeqësuar pasi banorët lokal kanë vendosur burimin ta shndërrojnë në çezmë publike.

Nga Komuna e Sopishtës thonë se vazhdimisht po i ekzaminojnë çezmat publike, por pohojnë se nuk janë të sigurta për konsumim.

“Ato janë me burim lokal, i cili nuk kontrollohet. Cilësia e tyre është gjithmonë e ndryshueshme, përbërja kimike është e qëndrueshme, por përbërja bakteriologjike ndryshohet në këto çezma. I gjithë procesi nuk është i rregulluar në mënyrë sistematike. Bëhet fjalë për kapje klasike të një burimi dhe kush e di kur është bërë nga ana e banorëve lokalë. Është zënë burimi i cili me tuba është lidhur me çezmën”, shtoi Stefçe Tërpovski – Kryetar i Komunës së Sopishtës.

Nga OJQ “Uji për ndryshime” thanë se 98% e qyteteve dhe 78% e zonave rurale kanë qasje deri te ujë i pastër. Kurse, nga Instituti për Shëndet Publik janë me qëndrim se Maqedonia është një nga vendet e pakta në botë me ujë të pastër. Megjithatë, shpjeguan se në mjediset rurale dhe në zonat më pak të populluara, uji ka baktere, sepse rrjedhja e ujit është shumë e vogël. Ndryshe, fshati Patishka Reka ndodhet 30 km nga kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut dhe shtrihet në Malin Karaxhica, raporton TV21./21Media

Back to top button