AAK reagon pas deklaratës së Rada Trajkoviqit

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reagur pas deklaratës së Rada Trajkoviq e cila tha se AAK është në diskutime me Listen Serbe për një marrëveshje të mundshme për zgjedhjen e Presidentit.

AAK theksoi se nuk do të mbajë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Tutje nga AAK u bë e ditur se zonja në fjalë nuk e kishte për herë të parë që përdorë emrin e Aleancës për të qenë në vëmendje, e këtë dëshiron ta arrijë duke dhënë deklarata të pa baza e pompoze sikurse kjo e fundit.

“Aleanca nuk do të mbajë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Deklaratat e znj. Trajkoviq se gjoja AAK paska ndikuar në zgjedhjen e deputetëve minoritarë me qëllim të “kurdisjes” së zgjedhjes së Presidentit, janë gënjeshtër e kulluar, por edhe cinike e qesharake. Nuk është hera e parë që zonja në fjalë dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes me deklarata pompoze, por kjo është shumë e tepërt. Problemet që komuniteti i saj i ka brenda llojit, nuk duhet t’i adresojë dhe të hedh fajësinë tek të tjerët, e më së paku te një organizatë e dëshmuar për transparencë e konsistencë në tërë historinë e saj politike. Që nga nominimi i kryetarit Ramush Haradinaj si kandidat për President të Republikës, secili veprim i AAK-së në realizimin e këtij qëllimi, që ne e konsiderojmë të nevojshëm për Kosovën, ekuilibrin e pushtetit dhe ruajtjen e demokracisë, ka qenë plotësisht transparent dhe i njohur për qytetarët”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Back to top button