Biden dhe Natanyahu diskutojnë për “kërcënimet e Iranit”

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, diskutuan përmes telefonit për “kërcënimet nga Irani”, pandeminë e COVID-19 si dhe çështje tjera, njoftoi zyra e Netanyahut.

Netanyahu është një nga udhëheqësit e fundit që pranoi një telefonatë nga Biden, që nga inaugurimi i tij më 20 janar. Kryeministri izraelit ka pasur lidhje të ngushta me administratën e mëparshme amerikane të ish-presidentit, Donald Trump.

Netanyahu po përballet me një sfidë të vështirë për rizgjedhjen e tij, pas zgjedhjeve të parlamentare të planifikuara të mbahen më 23 mars. Nga zyra e tij u tha se biseda një orëshe ishte “e ngrohtë dhe miqësore”.

“Ata theksuan lidhjet e tyre të gjata personale dhe u angazhuan për të punuar së bashku në forcimin e aleancës mes Izraelit dhe SHBA-së”, tha deklarata.

Të dy liderët kanë biseduar për “kërcënimin iranian” të zhvillimit të armëve bërthamore, si dhe mundësinë që Izraeli të arrijë më shumë marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve me kombet arabe.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Biden e kishte kritikuar vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore.

Netanyahu e kishte mbështetur fuqishëm veprimin e Trumpit, i cili përfshinte rivendosjen e sanksioneve shkatërruese ndaj Iranit, rivali kryesor i Izraelit në rajon.

Biden ka deklaruar se Irani duhet të zbatojë në plotni marrëveshjen para se administrata e tij të diskutojë mundësinë e heqjes së sanksioneve. Teherani kishte rënë dakord të frenonte programin e tij të pasurimit të uraniumit në këmbim të heqjes së sanksioneve. Irani gjithmonë e ka mohuar së planifikon zhvillimin e armëve bërthamore, duke thënë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile./Rel

Back to top button