Abazi: Beogradi ka vazhduar të dërgojë armë e municion në Veri të krijojë tensione
Abazi: Beogradi ka vazhduar të dërgojë armë e municion në Veri të krijojë tensione

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, sonte ka deklaruar se kjo që po ndodhë është një blof i Beogradit, duke i detyruar Serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ajo që e bën brengosëse situatën, siç ka theksuar Abazi, është që Beogradi ka vazhduar të dërgojë armë dhe municion në Veri të vendit për të krijuar situatë paniku dhe tensione.
“Këto sjellje të Beogradit i kemi parë edhe në të ‘90 duke instrumentalizuar serbët e Kroacisë. Këto metoda manipulimi dhe orkestrimi nuk bëjnë punë dhe duhet kuptuar që koha është për paqe, normalitet dhe progres. Këtë e duan të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim!”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Ndryshe, përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?