Miqësorja me Katarin, Shqipëria mbajti stërvitjen e parë

Miqësorja me Katarin, Shqipëria mbajti stërvitjen e parë

Kombëtarja e Shqipërisë, të shtunën filloi grumbullimin për miqësoren që do ta zhvillojë më 9 nëntor kundër Katarit në Marbella të Spanjës.
Në seancën e parë stërvitore nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja pjesëmarrës ishin 20 nga 23 lojtarët e ftuar në grumbullim.
Bëhet e ditur se futbollisti Ardit Deliu nuk u stërvit me skuadrën pas një shqetësimi në muskul, dhe pas konsultës me stafin mjekësor u vendos që ai të pushojë të shtunën për të mos rrezikuar.
Ndërkaq, portieri Arlis Shala u bashkua pas seancës stërvitore me ekipin, kurse mesfushori Kristal Abazaj do të bëhet pjesë e grupit në orët e paradites së të dielës me dy lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet sot.
Kombëtarja e Shqipërisë do të stërvitet deri të martën në Durrës, ndërsa më pas do të niset drejt Spanjës, ku edhe do ta zhvillojë seancën e fundit stërvitore.
Miqësorja mes Shqipërisë dhe Katarit do të zhvillohet pikërisht në stadiumin e Marbellas nga ora 18:30.

Back to top button