Abazi thotë se këtu i ndan rrugët me Kurtin: Më vjen mirë që nuk jam pjesë e Komisionit

Deputeti Haki Abazi, ka deklaruar se në raport me dialogun me Serbinë, i ka ndarë “rrugët” me kryeministrin Albin Kurti, derisa e ka akuzuar se e ka pranuar themelimin e “Zajednicës”.
Në një postim në Facebook, Abazi ka shkruar se deklarimet e Kurtit janë “hiporkizi par-excellence”, ndërsa për marrëveshjen e diskutuar në Bruksel, ka thënë se ka “elemente fundosëse për Kosovën”.

“D.m.th, z. Kurti ju jeni vazhdimësia e së kaluarës, ju nuk jeni ndryshimi. Luftën për të eliminuar njerëzit potencialë për të udhëhequr me vendin ata e bënë me tytën e pushkës dhe revoles, duke i dërguar në varr. Ju keni adoptuar luftën speciale, ushtrinë e Facebook-ut dhe rrjetet sociale për të eliminuar, këdo që nuk i nënshtrohet liderit suprem. E ke rrethuar veten me njerëzit e pushteteve të kaluara, me vepra penale, nënshkrues të demarkacionit dhe marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Ke përjashtuar aktivistët dhe përkrahësit më të devotshëm dhe po i mbron e po i mban afër njerëzit e korruptuar, ata që e shkatërruan urbanizmin, privatizuan e përfituan, dhanë leje për kompensim me vila”, ka thënë Abazi.
Sipas Abazit, Kurti ka bërë përmbysje “duke e konfirmuar se është produkt i luftës së eliminimit. Ndër të tjera, Abazi ka thënë se humbja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet lokale të 2021-s, është faturë e papaguar e Kurtit.
Abazi tutje ka shtuar se i vjen mirë që nuk është pjesë e Komisionit që do të duhej t’i mbante tupanin e hipokrizisë për vallën e servilëve dhe pakurrizorëve.

“Dy vite, as edhe një ligj, as edhe një strategji, as edhe një sukses në fushën e diplomacisë. Dy vite shterpësi totale dhe përceptime pa përmbajtje. Kështu përfundohet në pozita të krijuara nga diplomacia e Serbisë, merre ose lere! Kërkojmë falje nga Presheva, Bujanoci e Medvegja që nuk u bë reciprociteti edhe për ata…
Për drejtësi e pamë, shkarkimi i vetëm ishte për shkak të mendimit dhe kritikës,asnjë shkarkim për mospunë dështimet dhe korrupcionin. Më vjen mirë që nuk jam pjesë e Komisionit që do të duhej t’i mbante tupanin e hipokrizisë për vallën e servilëve dhe pakurrizorëve! Vazhdojmë kur të lodhen zhurmat”, ka shkruar Abazi./21Media

 

Back to top button