Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton riorganizimin e Qeverisë

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar të hënën pasmesnate riorganizimin e Qeverisë, duke përfshirë në të edhe ministra të Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e shumicës parlamentare.
Ministër i ri i Drejtësisë është zgjedhur Krenar Llogar, ministër i Shëndetësisë, Fatmir Mexheti, ministër i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, ndërsa Kaja Shukova për ministre të Ekologjisë.
Ndryshimet janë miratuar me 65 vota nga 120 sa janë gjithsej.
Riorganizimi i Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski ka ardhur pas vendimit të partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSD) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për zgjerimin e shumicës parlamentare, duke përfshirë edhe Aleancën për Shqiptarët.
Kryeministri Kovaçevski ka thënë se zgjerimi bëhet me qëllim të forcimit të shumicës për vazhdimin e kursit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së për dy javë bllokuan zgjedhjen e ministrave dhe kështu penguan punën e ministrive të caktuara, në dëm të qytetarëve, që në fund, si shumë herë më parë, kur erdhi koha e votimit, as nuk votuan kundër propozimeve që ata kritikuan aq shumë”, është thënë në reagimin e LSDM-së.
Por, shumica është rritur me vetëm një deputet, pasi nga Qeveria është larguar partia Alternativa, për shkak të mosmarrëveshjes për ndarjen e posteve.
Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj ka nisur më 13 shkurt dhe ka zgjatur dy javë, për shkak të bllokimeve me fjalime të gjata nga deputetët e VMRO DPMNE-së.
VMRO DPMNE-ja vlerëson se zgjerimi i shumicës është bërë për “shpëtimin e Qeverisë dhe jo për kursin evropian të vendit”.
Shumica parlamentare synon ndryshimin e kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj.
Një ndryshim i tillë është obligim që del nga marrëveshja e Shkupit me Sofjen, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Për të ndryshuar Kushtetutën, nevojiten dy të tretat e votave, apo 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica tani ka vetëm 65.
Pa votat e partive opozitare, Alternativa, Besa dhe VMRO DPMNE, këto ndryshime nuk do të mund të miratohen, gjë që mund të rrezikojë nisjen e bisedimeve të Shkupit për antarësim në Bashkimin Evropian, pasi Sofja sërish mund të bllokojë këtë proces.

Back to top button