Abdixhiku: Është obligim moral e ligjor të zbulohen vrasjet e të gjithë veprimtarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar veprimtarin Shaban Manaj, në 21 vjetorin e vdekjes së tij.
Abdixhiku ka thënë se Manaj ishte një personalitet i rrallë, i cili punoi fort krah presidentit Ibrahim Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës.
“Në korrikun e vitit 2000, në fillet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, u shua një pishtar i këtij rrugëtimi. Veprimtari, atdhetari e avokati i shquar Shaban Manaj, u privua mizorisht nga jeta, që edhe sot e kësaj dite mbetet mister. Shaban Manaj, ishte një personalitet i rrallë, punoi fort krah Presidentit Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës. Shaban Manaj me të drejtë për kontributin e tij për shtetin e Kosovës u dekorua me urdhrin e lartë shtetëror, ‘Hero i Kosovës'”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Familjarët dhe bashkëpunëtorët e Shaban Manajt nuk mund të jenë asnjëherë të qetë pa zbardhjen e motivit dhe rrethanave të vrasjes së tij si dhe dënimin e atyre që kryen këtë akt barbar, ndërsa është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Shaban Manaj”, ka përfunduar ai./21Media
 

Back to top button