Abdixhiku i gatshëm të takohet me Kurtin e Osmanin të premten

 

Kryetari i sapo zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se do të ketë qasje konstruktive në raport me konstituimin e institucioneve, por për shkak të konsolidimit në parti, nuk mundet të shkojë në takimin e nesërm konsultativ me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Megjithatë, Abdixhiku propozoi që ky takim të zhvillohet të premten.

“Qasja jonë do të jetë konstruktive, pjesë e platformës sime është që ne do të jemi konstruktiv me krejt partitë politike shqiptare. Ne jemi pjesë e institucioneve të Kosovës dhe kemi përgjegjësi dhe obligim të sillemi me përgjegjësi për të ndërtuar institucionet dhe jo shkaktuar probleme në skenën tonë politike. Për shkak të rrethanave të tanishme nesër gjëja e parë që duhet të bëjë është të dalë në zyrën e LDK-së. Unë e falënderoj konstruktivitetin e zonjës Osmani dhe Kurtit në lidhje me ftesën. Besoj kjo është qasja e duhur, por e kam të pamundur për shkak të konsolidimit të organeve tona të marrë pjesë në takimin e nesërm. Gjithsesi propozoj të premten si datë të takimit eventual në formatin e njëjtë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku është deklaruar edhe rreth mbështetjes eventuale të LDK-së për zgjedhjen e Vjosa Osmanit për presidente të Kosovës.

“Vendimet tona do të jenë kolektive dhe jo individuale. Gjithmonë duke respektuar e konstruktiviteti në skenën tonë politike. Shohim çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim”, tha ai.

Për sa i përket kryesisë së re të LDK-së, Abdixhiku tha se do të ketë një organizim të ri, ku do të ketë figura të reja brendapartiake.

Back to top button