Abdixhiku: Krizën energjetike kjo Qeveri po e shfrytëzon për të mbledhur më shumë tatime

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, adresoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në një konferencë për media, Abdixhiku tha se ndryshimet simbolike të Zyrës së Rregullatorit për Energji injorojnë në arrogancë brengat e qytetareve, shkruan rtv21.tv
“Këto brenga janë shtruar që nga dita e parë e paralajmërimit të shtrenjtimit të energjisë elektrike, dhe ato janë shpërfillur pa ndonjë arsyetim nga propozimet e dërguara të Qeverisë”, tha ai.
Abdixhiku theksoi se dëgjimi publik i ZRRE-së është bërë vetëm mjet kamuflimi i vendimit të ri qeveritar, i cili në thelb nuk ndryshon prej vendimit të parë të Qeverisë.
Sipas tij, diferenca nga 600 kilovat në 800 kilovat, e nga 14 centë sa ishte në fillim, në 12.5 centë është diferencë simbolike.
“Qeveria Kurti refuzon të heqë TVSH-në siç kanë vepruar 11 shtete të Bashkimit Evropian, ajo rritë çmimet në njërën anë e takson më shumë në anën tjetër”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, krizën energjetike, kjo Qeveri po e shfrytëzon për të mbledhur më shumë tatime.
I pari i LDK-së tha se do të shohin të gjitha rrugët institucionale për të refuzuar propozimin e fundit të ZRRE-së./21Media

Back to top button