Abdixhiku: Kurti nuk po e kupton ekonominë, jemi në krizë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku adresoi sërish kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me situatën ekonomike në vend.

Sipas Abdixhikut, Kurti nuk e kupton ekonominë, por porpagandën.

“Fatkeqësisht, propaganda nuk e bën ekonominë, por ai angazhohet vetëm për këtë të parën. Në dy vitet e tij të qeverisjes, janë thyer disa nga rekordet më negative ekonomike në vend.”, tha Abdixhiku,

I pari i LDK-së, vlerëson se tre treguesit kryesorë makroekonomik, ai i inflacionit, i deficitit tregtar e i rritjes ekonomike, japin sot pasqyrën e vërtetë në vend.

“Që nga dita e parë e tij e punës e deri më sot, çmimet janë rritur për 20%. Ky numër është rekord. I paparë ndonjëherë. Për krahasim, në Shqipëri inflacioni është vetëm 8%. Produktet bazike si buka, mielli, qumështi, vaji, vezët, rryma e derivatet janë sot dy-tre fish më shtrenjtë se sa që ishin dy vite më parë. Por ai këtë rritje të çmimeve nuk e sheh. Inflacionin, madje, e interpreton si sukses; thotë se është rritur qarkullimi i bizneseve për 20% e janë rritur të hyrat e buxhetit për 20%. Nuk është rritur as qarkullimi e as të hyrat – në terma real – janë rritur vetëm çmimet. Dhe atë për 20%.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Tutje ai Abdixhiku tha se Kurti, preferon të përmendë rritjen e eksportit për 300 milionë, por sipas tij qëllimisht nuk përmend rritjen e importit për 2 miliardë e 300 milionë.

“Po pra; 2 miliardë e 300 milionë euro më shumë importe për dy vitet e tij. Më 14 shkurt të vitit 2021, deficiti tregtar në vend – pra diferenca mes importeve e eksporteve – ishte 3 miliardë euro. Në fund të këtij viti kjo diferencë pritet të arrijë frikshëm në plot 5 miliardë; rekord i paparë ndonjëherë. Pra për 20 vjet, në gjithë mbrapshtësinë ekonomike, Kosova ka patur diferencë prej 3 miliardëve eurove mes importeve dhe eksporteve në vend. Dy vite me të, ky hendek është thelluar për plot 2 miliardë shtesë. Aq shumë ka katandisur me mosveprim bazën prodhuese në vend, sa që gjenerata të tëra do të bartin këtë pasojë.”, deklaroi Lumir Abdixhiku.

 

Ai shtoi se kryeministri Kurti flet për rritje ekonomike në vend, por sipas Bankës Botërore, Kosova – përjashto pandeminë – do të shënojë sivjet rritjen më të ulët ekonomike në 10 vjet. “Me vetëm 3.1% rritje, për herë të parë në një dekadë, vendi ynë do të ketë rritje nën mesataren e asaj në Ballkan. Kaq është zhvillimi i tij sivjet.”

“Investimet kapitale në vend, ato që shtyjnë vërtetë ekonominë, janë në realizimin më të ulët historik. Edhe gjatë kohës së pandemisë e mbylljes totale në vend, Kosova kishte realizm më të lartë se që ka sot. Mendojeni pak këtë; të punosh më pak se në pandemi. Me vetëm 9% punë të kryera nëpër ministri, ai ka bllokuar ekonominë. Sot mbanë 700 milion euro në bankë, pa e kuptuar se me inflacion prej 20% i ka zhvlerësuar mbi 140 milionë euro prej tyre.
Albin Kurti flet për zhvillim ekonomik i shkëputur nga realiteti shoqëror në vend. Nga zyra e tij, rryma është tani e lirë, produktet bazike mbesin me taksë, punëtorët s’merritojnë paga më të larta, e zhvillimi është i mundshëm veç me fjalë. Kështu ai tregon se as nuk i njeh e as nuk i kupton hallet e qytetarëve të vet. “, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tha se një kryeministër i denjë do të njihte krizën për fillim.

“ Një kryeministër i mbarë do të pranonte vështirësitë që qytetarët kanë sot. Le të dalë të flasë me njerëzit e këtij vendi për të kuptuar papërballueshmërinë. Le të flas me punëtorë e ta kuptojë se si mbijetohet sot në këtë rritje të frikshme të çmimeve. Le të flas me ta për ikjet masive, për kolapsin në ekonomi, për krizat në arsim e dështimet në shëndetësi. Mbi të gjitha në vend të përrallave për zhvillim, le t’iu flasë për dimrin e vështirë energjetik tek i cili po i futë njerëzit tërësisht pa përgatitë. Jemi në krizë!”, përfundoi Abdixhiku./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button