Abdixhiku: Kurti s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se në vend të qetësimit e përafrimit, kryeministri Albin Kurti po kërkon tension.
Sipas Abdixhikut, Kurti nuk mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit.
“Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël. Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza. Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tutje, ai ka thënë këto paga do t’u paguhen herët apo vonë.
“Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”, ka thënë Abdixhiku.
Qeveria e Kosovës sot konfirmoi se nuk do të dalin pagat për ata që ishin në grevë.
Kujtojmë se greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të administratës publike filloi më 25 gusht 2022, ndërsa u pezullua më 1 tetor 2022./21Media

Back to top button