Bajrami: Ekzekutoni pagat, mos luani me qytetarë se janë kohë të vështira

Ish-ministrja Hykmete Bajrami ka reaguar sot ndaj mos ekzekutimit të pagave për mësimdhënësit për shkak të grevës në arsim.
Bajrami ka thënë se Ligji për greva i plotësuar dhe i ndryshuar, në të cilin thirret Qeveria, është i paqartë.
“Ju bëj thirrjeve juristëve të këtij vendi, sidomos atyre që janë të afërt me Qeverinë, që t’i tregojnë Kryeministrit, Ministrit të Financave edhe Ministres së Drejtësisë se: Në bazë të parimit të ligjshmërisë askujt nuk mund t’i cenohet një e drejtë  bazuar në një ligj, i cili është i paqartë. I paqartë është LIGJI NR. 03/L-200 PËR GREVA I PLOTËSUAR DHE I NDRYSHUAR ME LIGJIN NR. 04/L-119 (shihni paragrafin 1 të nenit 13 dhe paragrafin 1 të nenit 18), në të cilin po thirret Qeveria për të mos i ekzekutuar pagat e atyre që gjatë shtatorit ishin në grevë. Ky veprim as nuk është ligjor e as legjitim”, ka shkruar deputetja e LDK-së në Facebook.
Bajrami tutje ka thënë se duke mos i ekzekutuar pagat, Qeveria po i godet me mijëra familje, qytetarë të këtij vendi, të cilët po përballën me çmimet me të larta që nga viti 1999.

“Mos harroni se ka familje që sot i keni lënë pa bukë dhe ata deri sot kanë menduar që megjithatë kanë një Qeveri. Goditja e dytë është goditja që po i bëni sistemit të drejtësisë. Rreth 25 mijë punëtorë të arsimit dhe mijëra të tjerë të administratës do të ju drejtohen gjykatave dhe kështu ju do të krijoni kaos në sistemin e drejtësisë. Premtimet e juaja për punësim dhe drejtësi janë kthyer në varfëri dhe kaos. Ekzekutoni pagat dhe mos luani me qytetarë se janë kohë të vështira”, ka shkruar Bajrami.


Qeveria e Kosovës sot konfirmoi se nuk do të dalin pagat për ata që ishin në grevë.
Kujtojmë se greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të administratës publike filloi më 25 gusht 2022, ndërsa u pezullua më 1 tetor 2022./21Media

Back to top button