Abdixhiku për Berishën: Kosova humbi patriotin që punoi për liri, pavarësi e demokraci

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot ka ngushëlluar familjen Berisha për vdekjen e ish-kryeparlamentarit Kolë Berisha.
Abdixhiku ka theksuar se vdekja e Kolë Berishës është lajm pikëllimi e dhimbjeje për Kosovën, për kolegët dhe miqtë.
“Ju humbët babain e familjarin tuaj, ne humbëm mikun, bashkëpunëtorin, ish-nënkryetarin e LDK-së, ndërsa Kosova humbi patriotin e orëve më të vështira të vendit tonë, politikanin e madh dhe luftëtarin e palodhur që punoi shumë për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai ishte një veprimtar në rrugëtimin tonë drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i themeluesit të shtetit tonë, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.
Sipas të parit të LDK-së, puna dhe veprimtaria e Kolë Berishës do të jenë udhërrëfyes që do të vlerësohet brez pas brezi.
“Kosova do ta kujtojë me pietet dhe nderim veprën e madhe të ish-kryetarit të Kuvendit, deputetit e nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berisha. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pranoni ngushëllimet tona të sinqerta.”, ka shkruar tutje Abdixhiku.
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha ka vdekur sot si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Lajmin për vdekjen e ish-kryeparlamentarit e ka bërë të ditur djali i tij, Visar Berisha, i cili ka informuar se varrimi i babait të tij do të bëhet nesër në orën 13:00, në varrezat e qytetit, në Prishtinë.
Kolë Berisha ka qenë nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës nga marsi 2006 deri në vitin 2007./21Media

Back to top button