Abdixhiku për Qeverinë: Mendësia e mospunës, ankesës e paranojës s’lë shtetin të zhvillohet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nxënësit dhe prindërit janë bërë “subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë.
Duke shpërndarë një video të dy prindërve duke blerë libra, Abdixhiku tha se pritjet në rend, paqartësitë mbi blerjen e librave, bartja nëpër librari të ndryshme e aplikimi për rimbursim “janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”.
“Do të duhej të kishin brenga tjera, dhe mesiguri kanë shumë, por shteti i tyre, dhe i yni, ka vendosur të ngarkojë secilin prind me detyra të vet shtetit – blerjen e librave. Ironikisht, nën paranojën e përfitimeve të biznesit, pushteti popullist kishte dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht. Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vet Qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
“Paaftësia pra kushton. Paranoja dhe më shumë. Por sot, çfarë na kushton më së shumti është koha. Ajo po na rrëshqet para syve. Në vitin 2023, do të duhej të flisnim për digjitalizim të shkollave, për klasë me 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi. Do të duhej të flisnim për fëmijët tanë si forcë moderne që bën të ardhmen tonë. Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim”, u shpreh tutje ai.
“Prandaj, e djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja”, përfundoi Abdixhiku.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?