Opozita kundërshton koeficientin e pagave

( Lajm i përditësuar)
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka propozuar që koeficienti i pagave të jetë 125.
Ai ka thënë se propozimi i tyre mund të realizohet.
“Propozimi ynë është i drejtë sepse merr për bazë inflacionin rekord që e kemi patur në vend. Propozimi ynë është i mundshëm sepse merr 120 milionë shtesë, shumë më pak se që ka shpenzuar Qeveria në pako që nuk kanë lënë as edhe një shenjë. Propozimi ynë është i qëndrueshëm sepse pagat si proporcion buxhetor i mbanë nën 27%. Propozimi ynë është i denjë sepse krijon paga të dinjitetshme si asnjëherë më parë në vend.Zgjidhja është e qartë.Koeficienti 125.”, ka shkruar ai në Facebook.
Të mërkurën Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se koeficienti për pagat për vitin 2023 do të jetë 105.Ai po ashtu është zotuar se ky koeficient do të ndryshojë vitin e ardhshëm, do të jetë 110.

Krasniqi për koeficientin: Sonte gjumin e qetë mund ta bëjë vetëm Kurti, mirëqenia e tij është përmisuar
Lideri i opozitës, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Albin Kurti I kanë dhënë edhe një goditje tjetër qyetarëve që punojnë në sektorin publik me koeficientin e ri të pagave.
Ai ka thënë se kjo është një manipulim që po proklamohet si rritje.
“Për më tepër, pafytyrësisht, kjo Qeveri dhe ky Kryeministër janë në gjendje të mashtrojnë edhe publikisht në lidhje me pagat, përqindjet dhe rritjet që janë bërë. Ajo që po proklamohet si rritje, në fakt është manipulim dhe lojë fjalësh. Ku thirren në rritje, nuk ka kujdestari, shujta, meditje, bonuse dhe ka mashtrime të krahasimeve bruto dhe neto. Ku nuk ka rritje, ka zbritje të ndjeshme dhe degradim të profesioneve e pozitave të rëndësishme të shtetit. Para se gjithash, ky vendim i Qeverisë, cënon mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, atyre që me punën e tyre të dinjitetshme dhe të palodhshme mbajnë gjallë dhe në këmbë funksionimin e shtetit tonë. “, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i PDK-së po ashtu ka thënë se rritja nuk plotëson kërkesat, sipas tij një gjë e tillë stimulon edhe më shumë qytetarët që të ikin jashtë vendit.
“Të gjithë, pa përjashtim, kanë merituar më shumë se sa kjo Qeveri u ka ofruar. Ky vendim, në krahasim me krizën ekonomike dhe inflacionin e madh, nuk u plotëson as për së afërmi nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.Për më tepër, ky vendim është thirrje për rritje të numrit të atyre qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga vendi dhe, rrjedhimisht, përcaktim për dëmtimin e ekonomisë dhe funksionalitetit të shtetit tonë. “T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje” – thoshte Kryeministri Kurti me 1 mars të vitit 2018. Ndërsa sot, ai rriti pagën e tij në 1785 euro. Pra sipas gjuhës së tij, ai bëri vjedhje.Sonte, nëse asnjë qytetar tjetër i vendit, të paktën ai mund ta bëjë gjumin i qetë dhe i lumtur, sepse mirëqenia e tij është përmirësuar. Fatkeqësisht, për pjesën tjetër të popullit, sonte është vetëm nata e parë e një realiteti të ri e të dhembshëm!”, ka përfunduar Krasniqi.
Të mërkurën Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se koeficienti për pagat për vitin 2023 do të jetë 105.Ai po ashtu është zotuar se ky koeficient do të ndryshojë vitin e ardhshëm, do të jetë 110./21Media

Back to top button