Abdixhiku takohet me ambasadorin italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot është takuar me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, me të cilin kanë folur për situatën në veri dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme.

Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me aleatët ndërkombëtarë për të normalizuar situatën.

”Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është mirëpritur në drekë pune nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu. Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale në vend me theks të veçantë situatën në veri si dhe nevojën për gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme. Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë për të normalizuar situatën, por edhe për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për vendimet e pakoordinuara në veri”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij dhe të LDK-së si dhe falënderoi shtetin e Italisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe gatishmërinë për të ndihmuar në situatën e krijuar.

Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve./21Media

Back to top button