Stano për kidnapimin e policëve kosovarë: Çështje urgjente, po e ndjekim nga afër

(Lajm i përditësuar)


Stano për kidnapimin e policëve kosovarë: Çështje urgjente, po e ndjekim nga afër

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano,   për kidnapimin e tre policëve kosovarë nga njësia speciale e Serbisë tha se këtë çështjen urgjente po e ndjekin nga afër dhe se janë në kontakt me të dyja palët dhe KFOR-in.

“Kjo është çështje që po e ndjekim nga afër dhe është një çështje urgjente. [Jemi] në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in që është i rëndësishëm në këtë kontekst për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ne nxisim Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga ndonjë veprim apo reagim që do t’i kontribuonte tensioneve që janë të rritura”,  tha ai.

BE: Marrja e masave ndaj Kosovës nuk u miratua lehtë

Bashkimi Evropian ka përsëritur të enjten se ndaj Kosovës nuk janë vendosur sanksione apo masa kufizuese për të cilat duhet të respektohet korniza dhe procedura e caktuar në BE, por vëtëm masa dhe instrumente të përkohshme për të dëshmuar se BE është serioze në përpjekjet e saja për të ulur tensionet.

Këtë e ka thënë zëdhënësi për çështje të politikë së jashtme dhe sigurisë Peter Stano, të enjten në një konferencë për shtyp në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel, shkruan rel.

Stano ka përseritur se këto masa janë të përkohshme dhe se do të hiqen nga rendi i ditës kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërmerr hapat që kërkohen nga ai për të ulur tensionet.

Ai ka thënë se disa nga këto masa nuk kanë qënë të lehta për BE-në që t’i miratojë, por janë ndërmarrë pasi, sipas tij “është parë se nuk ka hapa për shtensionim të situatës”.

“Pra fjala është për instrumente që ne përdorim për të dëshmuar se BE është serioze kur thotë se pret shtensionim të situatës dhe reagim kur një gjë e tillë nuk ndodhë“, ka thënë Stano.

Stano ka thënë se nuk është në dijeni për ndonjë takim “sekret” në Bruksel për të cilin ka folur të mërkurën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I pyetur se a mban BE-ja përgjegjësi pse nuk i ka realizuar premtimet për të siguruar pjesëmarrjen e Listës Sërpska në zgjedhjet lokale, pasi Kosova kishte pranuar t’i shtynte ato dhe kishte pranuar aneksin për zbatim të marrëveshjes në takimkin e Ohrit, Stano përgjigj duke thënë se fokusi tash duhet të jetë shtensionimi dhe nuk po shihet se diçka e tillë po ndodhë në terren.

Sa i përket Aneksit nga Ohri dhe Marrëveshjes, për të cilin presidenti Vuçiq ka thënë se ai nuk do ta zbatojë në tërësi, Stano ka thënë se “përfaqësuesi i lartë Borrell ka bërë deklaratë pas takimit në Ohër me të cilën janë pajtuar të dyja palët dhe kjo nuk është tërhequr asnjëherë“.

Prandaj, sipas Stanos, zbatimi i marrëveshjes dhe aneksit të Ohrit mbetet obligim.

“Ka një lidhje të qartë mes zbatimit të aneksit dhe rrugëtimit evropian. Nëse deklaratat e palëve se a e pranojnë apo jo marrëveshjen do të pasohen me veprime kjo do të reflektohet në procesin e integrimit të tyre integrimeve në BE. Nëse nuk jemi në gjendje të dalim nga ky rreth i tensioneve, atëherë pasojat do të jenë për të dyja palët“, ka thënë ai.

 

Back to top button