Abdixhiku: Tejet i rrezikshëm zhgënjimi i SHBA-ve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë takimit me qytetarë në Komunën e Dragashit, ka folur për situatën e fundit politike.

Abdixhiku ka thënë se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se është tejet brengosës fakti që Qeveria e SHBA-ve shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës.

“E drejta e zbatimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, e ritheksuar në këto rekomandime ndërkombëtare, duhet të vlerësohet si garancë për vendin tonë. Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë, siç dhe e ka domosdoshmëri koordinimin me aleatë në ndjekjen e synimeve strategjike”, ka shtuar Abdixhiku.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë. Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibile për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button