Abdixhiku zotohet se mësimdhënësve do t’u dalin pagat

(LIVE UPDATE)
Abdixhiku zotohet se mësimdhënësve do t’u dalin pagat
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku, kritikoi Qeverinë e Kosovës, duke thënë se po zhvillon hakmarrje selektive duke mos i proceduar pagat për mësimdhënësit.
Abdixhiku tha se kryeministri Albin Kurti po kërkon krizë.
Kreu i LDK-së u zotua para mësimdhënësve që pagat e tyre do të dalin herët apo vonë.
Korenica: Të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i bëri thirrje ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit të ekzekutojë pagat ndaj mësimdhënësve.
Ai po ashtu kërkoi edhe nga SBASHK-u të mos bëhet pengesë në realizimin e orëve të humbura gjatë muajit shtator, por të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit.
Haradinaj: Kjo situatë është e dhimbshme dhe kërkon reflektim nga ana e pushtetit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,  tha se situata e krijuar me mësimdhënësit është e dhimbshme. Para deputetëve, Haradinaj tha se kjo situatë kërkon reflektim nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Nuk ka logjikë me i lënë mësimdhënësit pa paga. Kjo situatë është e dhimbshme dhe kërkon reflektim nga ana e pushtetit”, tha Haradinaj.
Tahiri: Asnjë votë përderisa nuk përfundon saga rreth grevistëve
Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ky subjekt nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtarë, derisa grevistët të marrin pagën e muajit shtator.
Në seancën plenare, Tahiri theksoi se sot rreth 30 mijë njerëz presin të votohet rezoluta e propozuar nga AAK-ja.
“Sot para nesh kemi një kërkesë për një marrëveshje ndërkombëtare që lidhet me fondet e IPA-s, që është jashtëzakonisht e rëndësishme, mirëpo është e pamundur që ky Kuvend e ky kabinet të sillet me kaq lehtësi e krenari ndaj në situate që është e jashtëzakonshme. Merrni vesh, 30 mijë njerëz sot presin vendim – një rezolutë prej këtij Kuvendi për t’i dhënë pagat, për me kthy në normalitet arsimin parauniversitar dhe ne këtu po flasim për marrëveshje ndërkombëtare”, tha Tahiri.
“Për hir të korrektësisë kemi pasur takim me kryetarin e Kuvendit të mërkurën, dhe kemi thënë që kjo duhet të kalojë. Mirëpo mos reflektimi i Qeverisë dhe neglizhenca e një situate prodhimi i krizave dhe jostabilitetit, jo vetëm këtë marrëveshje, por Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të votojë asnjë marrëveshje, as ndërkombëtare as kurrfarë marrëveshje apo strategji, në qoftë se nuk veproni shpejt me pagat për grevistë dhe njëkohësisht për Ligjin e Pagave. Mos pritni prej neve, nuk keni asnjë votë përderisa nuk përfundon saga rreth grevistëve”, shtoi ai./21Media

Back to top button