Abdullahu pas vendimit të Apelit: Pa PDK-në, e ha dreqi këtë vend

Gjykata e Apelit sot e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin kjo e fundit kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Rreth kësaj ka reaguar, zëdhënës i PDK-së, Faton Abdullahu, i cili përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se PDK është ajo që u ankua në Gjykatë dhe se nga vendimi i Apelit ka fituar drejtësia,
““KËTA” e patën ndërmend me ju hy secilit në shtëpi dhe me ju marr pare në emër të shtrenjtimit të rymës dhe me ju rrejt se kjo është e drejtë dhe e domosdoshme sepse ….blla blla blla. Por me ju oshtë PDK. Ajo për ju u ankua në Gjykatë. Dhe me PDK ju nuk jeni vetëm, por fituat në Gjykatë. Fitoj e drejta, drejtësia. Ju kam thonë “Pa PDK-n e han dreqi kët vend””, ka thënë Abdullahu.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja./21Media 
 

Back to top button