Abrashi beson që i kanë votat

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, me kalimin e demarkacionit qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm

Pas dështimit të mbledhjes së Qeverisë, ku pikë e rendit të ditës ishte demarkacioni me Malin e Zi, dhe pas takimit me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe ambasadorin e SHBA ve Greg Delawie, kryeministri i vendit Isa Mustafa, është takuar me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, në selinë e kësaj partie.

Pas takimit, Mustafa e as anëtarët tjerë të partisë nuk kanë folur, përveç zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashit i cili tha se ishte një takim joformal i kryetarit Mustafa me disa nga anëtarët e kryesisë, të cilët kanë diskutuar për atë që ka ndodhur paradite, pas takimit që kishte Mustafa me partnerin e koalicionit dhe ambasadorin Delawie. Ndërsa tha se Demarkacioni pritet të shkojë në Qeveri dhe Kuvend, pas seancës së të mërkurës, ku në rend dite do të jetë mocioni, për rrëzimin e qeverisë.

Por, Abrashi beson që mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë nuk do të kalojë. Ndërsa tha se i kanë votat për kalimin e demarkacionit.

“Po besoj që i kemi votat. Me rëndësi me u largu vizat dhe qytetarët me udhëtu lirshëm, pas 90 ditëve”, tha ai.

Të mërkurën do të mbahet seanca me vetëm një pikë të rendit të ditës, ajo për mocionin e mosbesimit të Qeverisë iniciuar nga opozita.

Back to top button