Adem Jashari e familja e tij u bënë emblema e vërtetë e Ushtrisë së Popullit

 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti sot mori pjesë në paradën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, e organizuar për nder të 23-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”.

Para të pranishmëve, siç u bë e ditur në komunikatë, Hoti tha se akti i rezistencës së armatosur të Adem Jasharit me familjen dhe Prekazin e tij heroik, i filluar në mëngjesin e hershëm të 5 marsit, 23 vjet më parë dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi.

“Këto 3 ditë të rezistencës në Prekaz dhanë kushtrimin për popullin tonë për lirinë dhe pavarësinë, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit perëndimor si dhe lirive dhe të drejtave fundamentale njerëzore”, tha ai.

Hoti potencoi se Adem Jashari dhe anëtarët e tij të familjes u bënë emblema e vërtetë e Ushtrisë së popullit, që para armëve kishin edhe më të fuqishme vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund misionit për çlirimin e atdheut.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrën jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Atij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe ka arritur t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila e ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj. Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./21Media

Back to top button