Ademi e Duka bëjnë homazhe te shtatorja e Vokrrit, e vlerësojnë lart kontributin e tij

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, dhe ai i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka kanë bërë sot homazhe te shtatorja e legjendës së futbollit tonë, Fadil Vokrri, me rastin e ditëlindjes së 62 të tij.
Po ashtu, të pranishëm për homazhe ishin edhe anëtarët e KE të FFK-së, Agim Nura e Naser Ajeti, si dhe përfaqësuesit e Ligës së Veteranëve dhe të tifozëve të kombëtares, “Dardanët”.
Ndërkaq, pas homazheve të dy presidentët, si Ademi edhe Duka, e vlerësuan lartë personalitetin dhe karrierën e ish-presidentit të FFK-së.
Ademi tha se kjo datë sjell përplot emocione, sepse në këtë ditë ka lindur një legjendë futbolli siç ishte Fadil Vokrri.
“Sot, Fadili do t’i bënte 62 vjet. Ai jetoj pak por veprat e tij flasin sikur të jetonte 200 vjet. Prandaj, me veprat e tij, ai, gjithmonë do të jetë i pranishëm dhe nuk do të harrohet nga të gjithë shqiptarët. Fadil Vokrri ishte mbret i fushës së blertë dhe jam shumë i lumtur që kam qenë bashkëpunëtor i tij për shumë kohë”, tha Ademi.
Në anën tjetër, anëtari i KE të UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Duka, tha se me kontributin që e ka dhënë Vokrri, ai nuk do të vdes kurrë.
“Kjo datë ka sjellë në jetë një nga legjendat e futbollit dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri. Do të kishim shumë dëshirë që të jetonte më gjatë, por me atë çfarë ka bërë gjatë gjithë jetës së tij dhe kontributin e dhënë për futbollin, ai, nuk do të vdesë kurrë. Nuk do të vdes jo vetëm në memorien e komunitetit tonë të futbollit, por edhe në memorien e çdo shqiptari, si një njëri që ka kontribuuar në futboll, si një familjar i mirë por edhe në të gjitha këndvështrimet e tij”, ka thënë Duka.
Me rastin e ditëlindjes së 62-të të Vokrrit, sot, në stadiumin që mban emrin e tij në kryeqytet, do të organizohet edhe turneu i veteranëve, në të cilin marrin pjesë Kombëtarja e Kosovës, Kombëtarja e Shqipërisë, Llapi dhe Prishtina.

Back to top button