Ademi për “Lesportiu”: Nuk përfshihemi në politikë

 
 
Më 3 maj të vitit 2016, Kongresi i UEFA-s në Budapest votoi pro që Kosova të jetë anëtarja e 55-të e shtëpisë së futbollit të Evropës.
10-të ditë më vonë, me datën 13-të maj të vitit 2016, Kongresi i FIFA-s morri vendim që ta pranoj Kosovën si anëtaren e 210-të në organin qeverisës të futbollit botëror.
Së fundmi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për të përditshmen sportive katalane “Lesportiu”, për vështirësitë që ka pasur futbolli jonë që prej pranimit në FIFA dhe UEFA, ku disa prej tyre kanë qenë rekrutimi dhe bindja e lojtarëve.
“Ka qenë një proces i vështirë dhe nganjëherë kundër kohës, sepse mbaj mend që pak orë para ndeshjes sonë të parë kualifikuese kundër Finlandës, ne ende prisnim për të parë nëse disa futbollistë do të na përfaqësonin apo jo”, ka thënë Ademi.
“Ka shumë nga futbollistët tanë që kanë lindur dhe janë rritur në vende të tjera evropiane, dhe ne e patëm një detyrë të vështirë për t’i rekrutuar, për t’ia shpjeguar atyre projektin tonë të futbollit dhe për t’i bërë ata që të dëshironin të përfaqësonin vendin tonë”, ka shtuar ai.
I pyetur për atë që Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet, Ademi ka thënë se “si një federatë futbolli ne nuk mund të përfshihemi në politikë, ne e kemi njohjen e FIFA-s dhe UEFA-s dhe thjesht duam të mendojmë për të luajtur futboll. Ne nuk presim ndonjë problem përtej kësaj, ekziston një protokoll i qartë i ndeshjeve ndërkombëtare. E vërteta është se ne nuk i kushtojmë shumë vëmendje asaj që është përtej futbollit”.
Ademi ka theksuar që sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti janë tejet të rëndësishëm për Kosovën.
“Në përgjithësi, ekipet kombëtare gjenerojnë një ndjenjë të madhe krenarie. Ka shumë njerëz që kanë luftuar dhe këta futbollistë po përmbushin jo vetëm ëndrrat e tyre, por edhe ato të prindërve dhe të afërmve të tyre. Sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti janë shumë të rëndësishëm për Kosovën”, ka theksuar Ademi.
Kujtojmë se Përfaqësuesja e Kosovës përballet sot  me Spanjën në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës “Katar 2022”./21Media

Back to top button