Afati i vaksinave përplasë Haxhiun dhe Vitinë

 
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në seancën e sotme ka ngritur çështjen e skadimit të afatit të vaksinave të ardhura si donacion nga Norvegjia. Ai kërkoi sqarime nga ministri i Shëndetësisë se përse e kishte pranuar këtë donacion, kur ishte në dijeni se afati i këtyre vaksinave ishte deri në qershor dhe korrik.
Për të ruajtur shëndetin, Haxhiu i ka ftuar qytetarët të shikojnë mirë afatin para vaksinimit.
“Për të mbrojtur shëndetin e tyre, i ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që para vaksinimit të shikojnë mirë datën e prodhimit të vaksinave, çdo vaksinë e prodhuar në procedurë emergjente afatin e skadimit e ka 6 muaj”, ka thënë Haxhiu.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka quajtur të pandershme akuzat e deputetit Haxhiu, derisa ka thënë se të gjitha vaksinat e ofruara deri më tani, janë të sigurta dhe për këtë ai garantoi të gjithë qytetarët.
“Çdo thirrje tjetër është absolutisht e pandershme, çdo hezitim që mundohen të bëjnë individë të caktuar është e pandershme, çdo thirrje e qytetarëve për këtë hezitim është një abuzim në detyrën të cilën e kanë dhe sinqerisht kërkoj që në këtë drejtim së paku të jemi të bashkuar për ruajtjen e shëndetit publik pa i thirrur qytetarët që t’i kenë dyshimet e veta, sepse ju garantoj, edhe MSH, edhe qeveria, por edhe ligjet të cilat janë të aplikueshme në asnjë moment nuk na lejojnë, dhe nuk do ta bëjmë që t’i rrezikojmë qytetarët me vaksina ashtu siç pretendohet, sepse të gjitha janë EMA dhe FDA. Të gjitha vaksinat janë të sigurta, qytetarë të nderuar. Asnjë efekt anësor deri tani. Vaksinohuni , sepse është për të mirën tonë të përbashkët dhe për shëndetin e secilit qytetarë. Kurse, për ju individ të caktuar nëse nuk mund apo nuk doni të na ndihmoni, së paku në këtë proces kaq delikat mos u mundoni të na bëni dëme, sepse këto dëme nuk ia bëni as MSH-së, qeverisë, jeni duke i dëmtuar qytetarët e Republikës”, ka thënë Vitia.
Ndërsa, Bekim Haxhiu ka replikuar duke insistuar në skadimin e afatit të vaksinave të pranuara si donacion nga Norvegjia.
“Ministër Vitia, dua ta rikujtoj që këtu je në Parlamentin e Kosovës, këtu ka deputetë, përfaqësues të popullit, i vetmi individ këtu mundeni me qenë ju, që udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe atë duke dështuar në procesin e vaksinimit. Kosova është vendi i fundit në rajon dhe në Evropë me procesin e vaksinimit. Deri më tani keni vaksinuar vetëm 52 mijë qytetarë me të dy dozat. Dhe vaksinimi nuk konsiderohet i përfunduar dhe i mbrojtur qytetari nga pandemia COVID-19 nëse nuk ka marrë të dy dozat. Shqetësimet tona janë, sepse ju nuk keni lexuar Ligjin për pajisjet e produkteve medicinale kur keni pranuar donacionet nga Norvegjia. Ju keni rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe rrezikoni që këto vaksina të asgjësohen në Kosovë dhe nuk do të mund të përdoren. Kjo është përgjegjësi e juaja. Bekim Haxhiu nuk e ka ngritur këtë shqetësim bazuar në intuitën e tij”, ka thënë Haxhiu.
Duke iu përgjigjur deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj për mungesë të insulinës, ministri Vitia ka thënë se shpreson se javën e ardhshme do të shpërndahen insulinat nëpër të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Back to top button