Afati për miratimin e plotësim-ndryshimit të ligjit për rishikimin e buxhetit më 30 qershor

 
Qeveria e Kosovës ka bërë plotësim-ndryshimin e programit legjislativ për vitin 2021. Në kuadër të këtij projektligji është ndryshuar afati i miratimit të projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Persona të Zhdukur. Po ashtu, është tërhequr projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën në baza gjinore. Afati për plotësim-ndryshimin e ligjit për rishikimin e buxhetit është më 30 qershor.
Për projektligjin për personat e zhdukur, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka thënë se është shtyrë për shkak të çështjeve që kanë dalur nga koncept-dokumenti.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur projektligjet të cilat do të plotësohen e ndryshohen në kuadër të programit legjislativ për vitin 2021.
“Ndryshohet afati i miratimit në qeveri i këtyre projektligjeve: projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Persona të Zhdukur, afati i miratimit 31 korrik 2021, kjo nga Ministria e Drejtësisë. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi në kontekstin e aderimit të BE-së, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, afati i miratimit 14 korrik, 2021. Projektligji për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara nga MPJD, afati i miratimit 30 qershor 2021”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka bërë të ditur se afati i miratimit për projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, është 20 shtator të këtij viti. Ndërsa, afati për miratimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit është me 30 qershor.
“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 07/L-41 mbi ndarjen buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, Ministria e Financave për Punë dhe Transfere, afati i miratimit 30 qershor 2021. Shtohet në program legjislativ për vitin 2021, projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022, Ministria e Financave e Punës dhe Transfereve, afati i miratimit është 29 tetor 2021”, ka shtuar Kurti.
Ndërsa, nga programi legjislativ për vitin 2021 është tërhequr projektligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhunën në baza gjinore. Për këtë Haxhiu ka thënë se kjo ka ndodhur se njëkohësisht janë duke punuar edhe komisioni për të Drejtat e Njeriut.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë.

Back to top button