Agim Veliu thotë se VV është partia më antirugoviste në Kosovë

Veliu i bindur se do ta fitojnë Podujevën

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, e quajti partinë e kryetarit Albin Kurti, si më antirugovistja në Kosovë. Këto deklarata Veliu i bëri gjatë hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Duke folur për Shpejtim Bulliqin, i cili dikur ka qenë pjesë e LDK-së, ndërsa në këto zgjedhje garon për kryetar komune me Lëvizjen Vetëvendosje, Veliu tha se ai tradhtoi Lidhjen për partinë më antirugoviste në Kosovë.

“Për fat të mirë apo keq, kësaj radhe do të kemi një kundër kandidat që ka ikur nga Lidhja Demokratike, e ka tradhtuar Lidhjen Demokratike në momentin kur nga Lidhja Demokratike i ka fituar të gjitha beneficionet edhe ka ikur me arsyetimin se nuk ka hapësirë që ta mbrojë dhe zhvillojë rugovizmin dhe ka dalë në subjektin politik i cili është subjekti më antirugovist në Kosovë”, deklaroi Veliu.

Megjithatë, ish-kryetari i Podujevës që pranoi të bëhej ministër i Kurtit, u shpreh se do ta kursejnë Bulliqin pasi është invalid i luftës.

Duke kujtuar fitoren e tij në zgjedhjet e fundit, Veliu tha se i kishin “mundur rrast” VV-në e kështu do të jetë edhe kësaj here.

Me të shënuar ora 00:00 e datës 3 mars zyrtarisht ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës. Nexhmi Rudari nga LDK, Shpejtim Bulliqi nga VV dhe Naim Fetahu nga PDK janë tre kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me Podujevën prej 16 marsit. /21Media

Back to top button