Ndërpritet greva e minatorëve në Stantërg, s’anulohet konkursi

Do të vazhdohet me procesimin e konkursit

Pas rreth katër orë diskutimi (që ka përfunduan sot pas orës 2:00 të mëngjesit) është arritur marrëveshja në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Haki Abazi dhe minatorëve të rinj që u pranuan në konkursin e fundit në minierën “Trepça” për ndërprerjen e grevës.

Zëvendëskryeministri Abazi, i shoqëruar nga kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, si dhe menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, vizituan në horizontin e njëmbëdhjetë të minierës “Trepça” në Stantërg rreth 50 minatorë grevistë, të cilët nga frika e anulimit të konkursit, janë ngujuar në zgafelle të hënën nga ora 8:00 të mëngjesit deri pas mesnatës.

Abazi ka bërë të ditur për kp, se greva është ndërprerë dhe konkursi nuk do të anulohet. Sipas tij, është arritur një ujdi për zgjidhje individuale, sepse jo të gjithë kanë bërë shkelje të konkursit, dhe jo të gjithë janë pranuar me probleme. Ai shtoi se këto janë çështje që i përkasin institucioneve të drejtësisë. Ndërsa përmes një postimi në Facebook premtoi se do të zgjidhen problemet që siç thotë ai janë grumbulluar me dekada.

Ndërsa, menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, për 21Media ka konfirmuar që do të vazhdohet me procesimin e konkursit.

Dje 50 minatorë të rinj kanë mbajtur grevë në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës në Stan Tërg, kjo për shkak se ka indikacione se konkursi i pranimit të tyre do të anulohet.

Konkursi për pranimin e rreth 200 punëtorëve të rinj në Trepçë ishte hapur në kohën e fushatës zgjedhore në Kosovë dhe mbi pakënaqësitë e këtij konkursi është protestuar me ditë të tërë para menaxhmentit të Trepçës.

Qeveria Kurti ka shkarkuar edhe bordin e Trepçës me pretendimet për dyshimet pikërisht për këtë konkurs./21Media

 

Back to top button