Ahmetaj për progresin dhe sfidat e Kosovës në Stockholm
Në seminarin për Ballkanin Perëndimor
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, mori pjesë në seminarin e bashkë-organizuar nga Përfaqësimi i Komisionit Evropian në Suedi dhe Ministria e Jashtme e Suedisë.
Në këtë seminar me temë Ballkani Perëndimor dhe integrimet në BE, ku të pranishëm ishin pjesëtarë nga shoqëria civile, kori diplomatik dhe përfaqësues institucionesh vendore e ndërkombëtare, Ministrja Ahmetaj prezentoi progresin, sfidat dhe planet e Republikës së Kosovës por edhe të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimeve evropiane.
Sipas një komunikate nga Ministria për Integrim Evropiane, pjesëmarrës në këtë seminar ishin ministrat dhe zëvendës ministrat e punëve të jashtme dhe të integrimeve evropiane nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (përveç Malit të Zi) dhe zyrtarët e lartë nga Komisioni Evropian në Bruksel. Përveç diskutimeve dhe prezantimit në seminar, ministrja Ahmetaj pati takime me homologët nga rajoni, si dhe zhvilloi edhe një takim bilateral me Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Margot Wallstrom e cila gjithashtu ishte nikoqire dhe pjesmarrëse e seminarit. Gjatë këtij takimi bilateral ndër të tjera u bisedua për përkrahjen e Suedisë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kryediplomatja suedeze Wallstrom e falënderoi ministren e integrimeve Ahmetaj për pjesëmarrjen në seminar dhe kontributin gjatë punimeve.
Kjo është hera e dytë që organizohet një seminar i tillë me pjesëmarrje të ministrave nga Ballkani Perëndimor dhe u dakordua që në pjesën e dytë të vitit të organizohet sërish një i tillë me tema konkrete të bashkëpunimit të ndërshtetëror në rajon dhe me BE.