​Ahmeti: Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit, mbetet kushti i vetëm për anëtarësim në KiE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka deklaruar se tashmë është plotësuar edhe kushti i vetëm për anëtarësim në Këshill të Evropës, që ishte zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit.

Në një konferencë për media së bashku me ministren Artane Rizvanolli, Ahmeti ka theksuar se deri në plotësimin e këtij kushti janë angazhuar përbrenda e kanë lobuar jashtë, derisa shtoi se ky ka qenë kushti i vetëm.

“Sot Republika e Kosovës ka adresuar dhe përmbushur të gjitha rekomandimet kryesore, standardet, kushtet, shqetësimet e shënuara në raportin e juristeve eminent në memon e dhjetorit të raportueses Theodora Bakoyannis në draft raportin e parë fillestar të saj në komitetin për çështje politike dhe demokraci dhe në shqetësimet e ngritura nga të tri raportuese gjatë vizitave dhe takimeve që kemi pasur me to që nga tetori. Në periudhën e fundit të procesit, është fokusuar përgjegjësisht nga ana e raportueseve të Këshillit të Evropës në tri kushte kryesore para anëtarësimit, për të cilat jemi angazhuar përbrenda dhe kemi lobuar jashtë, e që nga janari e tutje ka mbetur vetëm një kusht, që në sytë e juristëve eminentë të raportueseve dhe grupeve kryesore politike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është parë si kusht i panegociueshëm. Ky kusht është zbatimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit”, tha Ahmeti.

Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur mbi vendimin e Kushtetueses e cila obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës gjatë periudhës 202-2017.

Ajo ka thënë se aktgjykimi i Kushtetueses nuk paraqet ndonjë kërkesë ndaj qeverisë, ndërsa shtoi se presin që ZRrE si institucion përgjegjës të marrë vendimin në bazë të këtij gjykimi, por edhe të jep sqarime për mënyrën se si do të zbatohet kjo në praktikë.

Ajo ka theksuar se e rëndësishme është se tashmë ky problem është zgjedhur.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk paraqet ndonjë kërkesë ndaj qeverisë, megjithatë presim që ZRrE si institucion përgjegjës të marrë vendimin në bazë të këtij gjykimi, por edhe të japë sqarime për mënyrën se si do të zbatohet kjo në praktikë, duke qenë se aktualisht ka shumë pikëpyetje në këtë aspekt. Përderisa ne si qeveri jemi duke analizuar implikimet potenciale që zbatimi i vendimit do të mund të ketë. Mos pagesa e energjisë elektrike nga konsumatorët në komunat veriore, dhe rrjedhimit nevoja për të mbuluar këtë hendek për hir të ruajtjes së sovranitetit padyshim që ka qenë shumë e padrejtë dhe barrë e rëndë financiarisht për gjithë ne të tjerët, qytetarët e Kosovës që e kemi paguar energjinë elektrike dhe tatimet…Më e rëndësishmja në temën e pagesës për komunat veriore është se tashmë ky problem është zgjedhur, një problem që për 23 vite na ka kushtuar 348.5 milionë euro, dhe në vitet e fundit edhe na ka rrezikuar kyçjen dhe anëtarësimin në asociacionin e operatorëve të transmisionit të Evropës, tani më është zgjidhur…Për furnizimin atje, për nominim të kërkesën blerje, përgjegjësinë e ka marrë kompania Elektrosever, që d.m.th borxhet kanë një adresë që d.n.th janë ndalur devijimet nga sistemi elektroenergjetik evropian, që në një mënyrë janë vjedhje e energjisë nga sistemi evropian ”, tha Rizvanolli.

Mes tjerash, Rizvanolli ka thënë se në mbledhjen e qeverisë miratuan themelimin e ndërmarrjes së re publike qendrore, e cila do të quhet Korporata e ruajtjes së energjisë (KRE), për çfarë tha se shërbimet që do të ofrohen janë të shumëfishta.

“Miratuam themelimin e ndërmarrjes së re publike qendrore e cila do të quhet Korporata e ruajtjes së energjisë (KRE). Kjo ndërmarrje do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë kapacitete prej 125 megavateve të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri të cilat po i ndërtojmë përmes programit kompakt mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve të përfaqësuar nga Korporata e sfidave të mijëvjeçarit MCC në vlerë prej 236 milionë dollarësh në total. KRE do të funksionojë si shoqëri aksionare me aksionar të vetëm në Republikën e Kosovës dhe përgjatë pesë vjetëve të fazës së zhvillimit dhe të ndërtimit të baterive do të financohet nga programi kompakt. Shpejt do të fillojë rekrutimi i bordit drejtues të ndërmarrjes. Qe nga fillimi i operimit të baterive që pritet të jetë nga viti 2028, ndërmarrja do të jetë financiarisht e vetëqëndrueshme dhe pritet të ketë fitim vjetor prej rreth 10 milionë euro. Shërbimet që do të ofrohen janë të shumëfishta…Shërbimet të cilat do t’i ofrojë ndërmarrja e re janë të nevojshme për një sistem të energjisë të balancuar mirë e që ofron shërbim të pandërprerë të energjisë elektrike për qytetarët e bizneset e vendit dhe këto gjithashtu janë të rëndësishme për të plotësuar edhe kushtet që i kemi nga Asocacioni i operatorëve të transmisionit të Evropës, mirëpo edhe për të integruar burime të ripërtritshme të energjisë”, tha Rizvanolli.

Back to top button