AKR-ja kërkon rinumërim të votave

 

Aleanca Kosova e Re (AKR) kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) që të rinumërojë të gjitha kutitë e votimit në të gjithë territorin e Kosovës, pasi që sipas tyre rezultatet brenda listës janë manipuluar nga komisionerët në qendrat e votimit.

Megjithëkëtë, AKR ka vlerësuar se procesi i numërimit të votave ka shkuar në rregull deri në momentin kur kanë filluar të numërohen votat e kandidatëve për deputetë.

“Rinumërimi i votave në të gjitha kutitë e votimit, brenda partive në rastin tonë brenda listës së LDK-së, ku pjesë e kësaj liste janë edhe kandidatët e AKR-së, të dala nga procesi zgjedhor i 14 shkurtit, është i pashmangshëm. Shumë informata që kanë arritur nga terreni tregojnë qartë se rezultatet brenda listës janë manipuluar nga Komisionerët e papërgjegjshëm në Qendrat e votimit. Andaj, për një garë fer e korrekte është shumë logjike që duhet të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në listën e LDK-së. Andaj AKR, edhe një herë kërkon nga Komisioni Qendror Zgjedhor, që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës, dhe jo vetëm kutit e votimit, ku manipuluesit e votave nuk kanë qenë të aftë të fshehin krimin e tyre”, thuhet në komunikatën e AKR-së.

Të gjitha këto, AKR po thotë se i mbështesin në faktet që janë mbledhur përmes anëtarëve të vet të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit. Rinumërimi i plotë i fletëvotimeve sipas AKR-së do të eliminoheshin pakënaqësitë që tashmë kanë filluar të dalin nga kandidatë deputetë të kësaj partie.

“ Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR, duke ndërmarr kështu të gjitha masat ligjore, që vota e qytetarëve të besuar për kandidatët për deputet të mos manipulohet”, përfundon komunikata e AKR-së.

AKR garoi në zgjedhjet paralmentare 2021 në koalicion me LDK-në, të cilët vlersohet që kanë marrë rezultatin më të dobët ndonjëherë./21Media

Back to top button