Aksioni i sotëm s’mund të quhet “aksion në veri”, sepse ishte në pjesë të ndryshme të Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas aksionit të sotëm të policisë dhe doganës, me ç’rast ka theksuar se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme.
Osmani tha që aksioni i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar.
“Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson.”, ka shtuar tutje Osmani.
Ajo ka shpjeguar se “ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik”.
“Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë.”, ka shkruar Osmani në facebook, duke shtuar se lufta ndaj krimit është e pakompromis.
Sot është realizuar një operacion policor kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut. Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në veri të Mitrovicës grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?