Aksioni kundër fajdexhinjve, shkon në shtatë numri i të arrestuarve
Deri më tani janë arrestuar shtatë persona në operacionin kundër grupit kriminal që dyshohet se merrej me fajde dhe detyrim, i realizuar në Pejë, Prishtinë dhe në Gjilan.
Aksioni kundër fajdexhinjve në Pejë e Prishtinë u realizua ditën e enjte ku rezultoi me pesë të arrestuar.
“Lidhur me operacionin policor, i njëjti ka vazhduar dhe në Prishtinë ku janë arrestuar edhe dy të dyshuar, tashmë numri i të arrestuarëve është gjithësej pesë. Me aktvendim të prokurorit katër të dyshuar dërgohen në mbajtje, Po ashtu, hetuesit policorë kanë konfiskuar edhe dëshmi relevante për rastin”, ka njoftuar Policia.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas operacionit të suksesshëm të realizuar dje në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, sot me datën 21.06.2024 ka vazhduar me aksionin e radhës në tri lokacione të ndryshme të rajonit të Gjilanit. Ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim”. Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policorë, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar”, thuhet në njoftimin e sotëm të Policisë.
Policia e Kosovës tha se të gjitha operacionet e saj janë kryer në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës./21Media