Aktakuzë ndaj një kosovari për krime kundër njerëzimit në Siri e Irak

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Kosovës me iniciale M.D., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “krim kundër njerëzimit”, nga neni 143 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar, nga neni 147, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafët 2.6 dhe 2.23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë Speciale, këto vepra u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit ‘’Yazzid’’ gjatë konfliktit në Siri dhe Irak në periudhën kohore 2014-2017.

Në njoftim thuhet se kjo çështje penale tashmë ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës, gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Back to top button