Aktakuzë ndaj një personi për falsifikim të dollarëve në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka tentuar të falsifikojë para.
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.B., në periudhën kohore prej tetorit të vitit 2019 deri më 20.01.2020 në shtëpinë e tij dhe në garazhë në fshatin Hoqë të Prizrenit, tenton të prodhojë para të falsifikuara të valutës 50 dollarë amerikanë me qëllim që t’i vë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që përgatitë pajisjet si: fotokopje, printer, skaner, një makinë për ngjyrosjen dhe shtypjen e parave si dhe letrën A4 të cilësisë së lartë për printim, ku përmbajtja e këtij materiali të letrës e ka figurën dhe formën që gjendet në kartëmonedhën 50 dollarëshe, vijat identifikuese si dhe shiritin e sigurisë e ka të njëjtë, të një kualiteti të mirë për falsifikim.
Prokuroria tutje ka thënë se në këtë mënyrë, i pandehuri i ka përgatitur që në një letër të formatit A4 të printohen 4×50 dollarë, ndërsa nëse merret numri i letrave që është 500 copë në një paketë, ajo arrinë shumën rreth 100.000 dollarë në një paketë, dhe nëse merret numri prej 7 paketave të letrës të cilët janë konfiskuar dhe ishin përgatitur për printim kishin arritur shumën prej 700.000 dollarë kartëmonedha të falsifikuara.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit./21Media