Aktakuzë për 5 policët që sulmuan qytetarin që nuk respektoi semaforin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave për shkak të veprave penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje”, si dhe “Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”.
Sipas aktakuzës, më 04 shkurt 2021, në Gjakovë, të pandehurit B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., duke vepruar në bashkëkryerje, në cilësinë e zyrtarëve policorë, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorin autorizimet e tyre duke keqtrajtuar, frikësuar e fyer rëndë, personin tjetër, të dëmtuarin B.B..
“Ditën kritike, pasi të pandehurit e vërejnë se i dëmtuari nuk i përmbahet sinjalizuesit të semaforit, të njëjtit i vihen pas me veturën e tyre zyrtare, ku i dëmtuari së pari nuk ndalet, por pas një kohe ndalon, del nga vetura duke iu kërkuar falje zyrtareve policore dhe iu thotë se është i sëmurë. Njëri zyrtar policorë menjëherë e godet me grusht në kokë duke e rrezuar në tokë, dhe më pas te gjithë bashkë e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte e shqelma në koke e pjese te ndryshme te trupit”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, me datë, kohë e vend të njëjtë, të pandehurit B.H., E.K., A.L., E.K., dhe E.G., duke vepruar në bashkëkryerje, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, me dashje i kanë shkaktuar lëndim të rëndë trupor, të dëmtuarit B.B..
“Duke e goditur së pari në kokë, ku pas rrëzimit në tokë e kanë goditur me grushte e shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndrydhje të indeve të buta të kraharorit, thyerje të brinjëve, gjakderdhje nën lëkurorë në regjionin e veshit e të nofullës, e dëmtime të tjera të përshkruara në ekspertizën mjeko ligjore të grupit të ekspertëve”, thuhet tutje në njoftim.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që të pandehurit të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë./21Media

Back to top button