Aktakuzë për dy anëtarë të saj, reagon PSD

PSD e konsideron të ‘sajuar’

Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar përmes një komunikate për media, në lidhje me aktakuzën që është ngritur ndaj dy anëtarëve të partisë së saj dhe një aktivisti të Vetëvendosjes.

PSD e quan të papranueshme që akuza kaq të rënda të përcillen me procese të dyshimta. Pasi që sipas tyre të akuzuarit për “Përgatitje të Veprës Terroriste”, nuk kanë pranuar asnjë ftesë apo njoftim zyrtar nga Gjykata Themelore, ata janë njoftuar vetëm përmes telefonit.

“Dje, dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate janë njoftuar vetëm përmes telefonit se ndaj tyre është ngritur aktakuzë. Gëzon Kastrati, Korab Korça (ish aktivistë të VV-së, tash në PSD) dhe Çlirim Gërbeshi (aktivist i VV-së) akuzohen për “Përgatitje të Veprës Terroriste”. Ata nuk kanë pranuar asnjë ftesë, njoftim apo çfarëdo lloji tjetër të shkresës zyrtare nga Gjykata Themelore lidhur me rastin. Qysh tani ky proces filloi me parregullsi”, thuhet në komunikatë.

Në këtë njoftim është përmendur edhe rasti i aktivistëve Astrit Dehari, Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqit dhe Petrit Ademi, që sipas PSD-së, u hidheshin akuza për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, e që po sipas tyre në fund u rrëzua si rast në mungesë provash dhe në këtë mënyrë u bë i pamundur vazhdimi ose fillimi i një procesi të ri.

“Është e papranueshme që akuza kaq të rënda të përcillen me procese të dyshimta, e që rëndojnë vetëm mbi të akuzuarit dhe asnjëherë mbi trupën gjykuese, apo faktorët tjerë relevant për rastin, të cilët qartazi nuk e kanë kryer punën siç duhet. Kjo na le të kuptojmë se qëllimi ishte disiplinimi i qytetarëve protestues, përmes inskenimeve të rasteve ndaj aktivistëve, për të cilët nuk u gjet asnjë provë. I njëjti fat e pret edhe rastin në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas kësaj partie, rastet e montuara politikisht cenojnë mundësinë që Republika e Kosovës të zhvillohet si vend demokratik.

“Kjo gjë nuk do të lejohet në asnjë mënyrë. Ne jemi të bindur që ky proces është i sajuar dhe si i tillë do të rrëzohet. Partia Socialdemokrate mbështet aktivistët në secilin hap të nevojshëm për dëshmimin e pafajësisë së tyre. Kërkojmë nga Gjykata Themelore që sa më parë të ndalojnë persekutimin politik të aktivistëve pa asnjë bazë faktuale”, përfundon komunikata.

Back to top button