Festa në familjen e fshatit SOS

Fshati SOS me organizime të shumta

Fshati SOS është njëri ndër vendet që ofron kujdes për fëmijët e braktisur. I themeluar në vitin 1999, ky vend u shndërrua në forcë dhe përkrahje për të gjithë fëmijët në nevojë.

Dashuria, humanizmi, e kujdesi që dhurohet në fshatin SOS, ka bërë që të kalohet edhe fuqia e lidhjes së gjakut dhe të krijohet një familje e madhe. E rëndësi e veçantë iu kushtohet festave të fundvitit, pasi që fëmijët i presin me shumë dashuri.

Në ketë periudhë festash, Fshati SOS ka organizuar shumë aktivitete të cilat kanë qëllim edukativ. Por pjesa më e dashur ishte rregullimi i bredhit nga duart e arta të fëmijëve të këtij fshati, të cilit ishin shumë të entuziazmuar për këtë aktivitet që tashmë është bërë traditë në SOS.

Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ në Fshatin SOS, tha se në këtë periudhë festash kanë organizuar shumë aktivitete të cilat kanë karakter rekreativ dhe socializues, por aktiviteti më i mirë sipas tij është dekorimi i bredhit, pasi që fëmijët e bëjnë me shumë dashuri këtë pjesë. “Në SOS Fshatrat e fëmijëve të Kosovës aktivitetet projektohen dhe ideohen në bazë të nevojave që i kanë fëmijët, nevojat të cilat janë identifikuar prej stafit pedagogjik, kryesisht natyra e aktiviteteve që realizojmë me fëmijët në Sos Fshatrat e fëmijëve të Kosovës, ka karakter rekreativ, edukativ dhe socializues, do të thotë jemi të orientuar që kur t’i përzgjedhim aktivitetet të plotësohen këto tri kriteret. Në këtë periudhë festash kemi shumë aktivitete kryesisht rekreative me fëmijët ku ata pikërisht sot do të bëjnë një aktivitet, të dekorojnë bredhin e Vitit të Ri, pranë këtij bredhi do t’i presin vizitorët dhe mysafirët të cilët do të vijnë t’i shohin, me kalu kohë kualitative me ta dhe ndoshta edhe me i dhuru dhurata fëmijëve SOS”, tha Peci.

Peci tha se aktivitetet që SOS-i organizon kanë edhe karakter parandalues për faktin se përmes aktiviteteve edukative, ata i mbrojnë fëmijët prej dukurive negative, siç janë substancat narkotike, substancat psiko-aktive, duhani, edhe fenomenet tjera të cilat janë të dëmshme për ta.

Peci tha se edhe pse këta fëmijë kanë nevojat e tyre, përsëri e kanë atë ndjenjën e humanizmit dhe ndihmës për fëmijët e tjerë. Këtë vit me iniciativën “Dhuro mos nguro”, fëmijët kanë mbledhur dhe ricikluar lodra, të cilat më pas i kanë dhuruar për fëmijët në nevojë. “Në të njëjtën kohë bashke me fëmijët kemi bërë aktivitete të cilat shkojnë në funksion të ruajtjes së bashkë moshatarëve të tyre në komunitete, dhe si rrjedhojë fëmijët kanë qenë udhëheqës apo fasiltator të disa aktiviteteve si janë aktivitetet humanitare, me iniciativën “Dhuro mos nguro”, ku fëmijët sos kanë mbledh, ricikluar lodra dhe i kanë dhuruar për fëmijët në nevojë në të njëjtën kohë kanë organizuar aktivitete edukative përmes trajnimeve me fëmijët e shkollave dhe komuniteteve që thjesht me i sensibilizu ata për mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë së tyre nga dhuna kibernetike”, shtoi Peci.

E festat e fund vitit i bëjnë edhe më të mira sukseset e fëmijëve të Fshatit SOS, të cilët kanë qenë shumë të mirë në mësime gjatë këtij viti. Besnik Peci u shpreh shumë i lumtur për arritjet e këtyre fëmijëve, pasi që viti që po lëmë pas për SOS fshatin përkundër sfidave të shumta po mbyllet me sukses. “Ka qenë një vit me shumë suksese, me shumë rezultate pozitive të fëmijëve si në fushën e shkollimit, të punësimit dhe në fushën e zhvillimit të shkathtësive për një jetë të pavarur”, shtoi Peci.

Peci tha se në këtë fundvit kanë gjetur përkrahje prej shumë kompanive të ndryshme të cilat kanë sjellë dhurata për fëmijët.

Aktualisht në Fshatin SOS në Kosovë në shtyllën e kujdesit alternativ gjejnë strehim 61 fëmijë.

Back to top button