Aktakuzë për krime lufte për një serb nga Mitrovica

I akuzuari ka vrarë katër persona civil shqiptar

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kundër personit Z.V. në drejtim të veprës penale: Krime Lufte kundër popullsisë civile.

Sipas aktakuzës i pandehuri gjatë kohës sё konfliktit të armatosur nё Kosovё, mё 5 maj 1999, nё Vushtrri, në bashkëkryerje, ka vepruar nё kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtarë nё fuqi gjatё kohёs sё luftёs, duke shkelur Nenin 3 (1a) tё përbashkët pёr katër Konventat e Gjenevës, tё datës 12 gusht 1949, po ashtu edhe protokollin  shtesë (protokolli II) të kësaj Konvente të vitit 1977, neni 4, pikat 1 dhe 2, duke kryer veprimet e më poshtme:

Pasi ka rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civil të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civil shqiptar tё identifikuar si: Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Duke vepruar nё mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve tё nacionalitetit shqiptar me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenën fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur tё holla nё shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilet e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 tё dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Back to top button