Akuzat e Prokurorisë për luftimin e krimit, Haxhiu i del në krah Sveçlës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj Prokurorit të shtetit, ku ky i fundit i kishte reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke i thënë se aksionit të sotëm ”Brezovica”, po mundohet t’i jep karakter politik.
Haxhiu  përmes një postimi në ”Facebook”, iu është drejtuar Prokurorit të shtetit se pse nuk ka reaguar ndaj Vuçiqit e Petkoviçit, të cilët tërë ditën thanë se arrestimet në Shtërpcë janë politike, por reagoi vetëm ndaj Sveçlës.
”Shtrohet pyetja se ku ishte prokuroria deri sot? Pse nuk vepruan më herët por vetëm pasi u dëmtua një pjesë e madhe e Brezovicës? Pse nuk vepruan më herët kur ish zyrtarë të lartë duke nisur nga ish presidentë, ish kryeministra e ish ministra dhe udhëheqës të institucioneve shumë të rëndësishme në vend ndërtuan villa në Brezovicë? Kush i pengoi këto hetime?”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas kësaj të fundit, Qeveria i ka hapur rrugën zbatimit të ligjit dhe e ka të drejtën e plotë legjitime që të përshëndes secilin veprim kundrejt krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk ka ndërhyrje dhe punën e prokurorisë e kanë penguar ndërhyrjet e shumta në sistem si pasojë e të cilave nuk ka pasur veprime serioze në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar.
Ndërkohë, Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se aksionin e sotëm me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në Shtërpce e më gjerë, po mundohet t’i jep karakter politik. Sipas Prokurorit, hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritarë, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit./21Media

Back to top button