Alarmante, për tre muaj në Kosovë konfiskohen mbi 7 mijë kg drogë

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në trend të rritjes, ndërsa konsumues gjithnjë e më të shpeshtë po bëhen adoleshentët.
Në statistikat e siguruara nga Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv theksohen statistikat e sasisë së lëndëve-substancave narkotike që ka konfiskuar gjatë tremujorit të fundit.
Gjatë periudhës korrik-shtator të këtij viti nga Policia e Kosovës bënë të ditur shifrat e sasisë së substancave narkotike që janë konfiskuar gjatë tremujorit të fundit nga ky dikaster. “Marihuanë: 1054 kg e 799.58 gr, Heroinë: 6 kg e 154.9 gr, Kokainë: 578. 76 gr, Bimë kanabisi: 6152 copë, Ekstazi : 66.55 gr”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës për portalin rtv21.tv
“Gjatë periudhës korrik- shtator 2024, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik ka realizuar 25 operacione policore për të luftuar trafikimin me narkotik”, njofton Policia e Kosovës.
Përdorimi i drogës është fenomeni më kërcënues, për shekullin që ne jetojmë. Droga dëmton drejtpërdrejt njeriun, nga ana emocionale dhe fizike. Një ndër sfidat më të mëdha për prindërit, është kur ata kuptojnë se fëmija tyre po konsumon drogë. Nga viti 2002 deri më tani në Qendrën “Labyrinth” kanë kërkuar ndihmë 2876 persona.
Muharrem Ademi, koordinator nga Qendra “Labyrinth” në Prishtinë për portalin rtv21.tv thotë se adoleshentët dhe të rinjët janë më të rrezikuar me përdorimin e substancave narkotike.
Sa i përket viteve me raste për ndihmë me ndikim të substancave narkotike në Kosovë, Ademi nga “Labyrinth” bën të ditur se nga periudha 2002 deri më tani janë paraqitur 2876 persona.
“Tek ne prej vitit 2002 deri më tani janë paraqitur 2876 persona për të kerkuar ndihmë, vit pas viti eshte vërejtur një rritje e përdoruesëve mirëpo qka neve na shqetëson është rritja e përdorimit të kokainës dhe ulja e moshave të përdoruesëve të tyre”, thekson Ademi.
Cilët janë faktorët që tërheqin fëmijët të përdorin substancat narkotike?
“Ka shumë faktorë pse dikush fillon përdorimin e drogave, ndër kryesoret janë kurreshtja, presioni bashkemoshatarëve, traumat e fëmijërisë së hershme, disponushmëria e drogave në treg si dhe disponushmëria në shoqëri që nëse përdorë droga është diqka normale etj”, tregon Ademi.
Tutje koordinatori nga Qendra “Labyrinth”, tregon moshat mesatare të fillimit të përdorimit të drogave.
“Adoleshentët dhe të rinjët janë më të atakuar në përdorim të drogave, në bazë të databazës sonë mosha mesatare e fillimit të përdorimit është 16 vjeç, ndërsa mosha mesatare të gjithë përdoruesëve është rreth 28 vjeç”, tha Muharrem Ademi.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Doganën e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje./21Media