Alarmante: Qytetarët do të paguajnë rrymë 50% më shtrenjtë me TC “Kosova e Re”
“Çmimi i energjisë elektrike do të rritet se kostoja e ndërtimit të Termocentralit të ri do t’i shtohet dhe faturohet qytetarit”
50% më shumë do të paguajnë qytetarët e Kosovës për energjie elektrike kur të ndërtohet termocentrali “Kosova e Re”, gjë që vlerësohet të jetë e papërballueshme për ta. Ekspertët që paralajmërojnë këtë shtrenjtim thanë se qytetarët do të paguajnë për ndërtimin e “Kosovës së Re” edhe nëpërmjet taksave tjera.
Ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 50% është e papërballueshme për familjen e Naim Gashit. Ai tha se për shkak të gjendjes ekonomike mezi po arrijnë tani ta paguajnë faturën.
“Qysh është gjendja në Kosovë shumica ma merr mendja që njerëzit nuk kanë mundësi me pagua sepse shumica me varfëri dhe rroga të vogla, situata si është nuk ma merr mendja që mundemi me përballua”, tha Gashi.
Gëzim Llapashtica duke e konsideruar si të dëmshme kontratën për ndërtimin e “Kosovës së Re” tha se shtrenjtimi i rrymës është i papranueshëm.
Ky qytetar kërkoi nga Qeveri të ndërmerr masa që mos tu shtohet edhe kjo barrë qytetarëve. “Nuk është e përballueshme edhe aktualisht rryma është shumë e shtrenjtë e lërë më kur të ndërtohet termoelektrana…Këto kontrata janë të dëmshme Qeveria nuk ka ditur me kontraktua si duhet këtë marrëveshje dhe kontratën. Për më shtrenjtuar rryma për 50 për qind është e papranueshme për qytetarët e Kosovës sepse ne kemi tjetër standardi të jetës nuk jemi me standard të Gjermanisë”, tha ai.
Besfort Kosova nga Balkan Green Foundation, duke u shprehur i shqetësuar për një situatë të tillë, të cilën nuk e konsideron të qëndrueshme. Ai tha se qytetarët nuk do e kenë të lehtë ta përballojnë këtë çmim.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të detyrohet të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike. Kosova po ashtu u shpreh se ngritja e faturave të rrymës do ketë edhe pasoja zinxhirore në ekonominë kosovare.
“Mendojmë që çmimi mund të rritet edhe më tepër për shkak se teknologjia që parashikohet të blihet për ndërtimin e këtij termocentrali të ri mund të jetë më e lartë në aspektin e kostos dhe kjo pastaj ndikon direkt edhe në tarifat e energjisë elektrike. Aktualisht KEK-u prodhon 1 megavat orë me rreth 30 euro çmimi i balancimit dhe çmimi KEDS, KESKO shkon diku rreth 36 euro dhe në fund dalim me një çmim prej 65-66 euro për megavat orë, ndërsa me ndërtimin e termocentralit të ri çmimi fillestar për 1 megavat orë do jetë minimumi 65 euro maksimumi 80 euro i cili pastaj do rezultojë me një çmim plus balancimin e KEDS-it dhe KOST-it duke 95 euro për megavat orë deri në 115 euro për megavat orë”, tha Kosova.
Udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE, Ymer Fejzullahu tha se nga 60 euro sa është çmimi aktual për megavat, do të ngritet në 90 euro me të nisur së funksionari TC “Kosova e re”. “Rregullatori e ka bërë një vlerësim preliminar, dhe është thënë se mbi 50 për qind është ndikimi që pritet në vitin kur hyn në operim Kosova e re”, theksoi Fejzullahu.
Se rryma do të shtrenjtohet 50% me fillimin e operimit të termocentralit “Kosova e Re” tha edhe bashkëthemeluesi i Konsorciumi Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), Haki Abazi.
Abazi tha për Kp se ndërtimi i “Kosovës së Re” do i faturohet qytetarit dhe buxhetit të Kosovës edhe në mënyrë indirekte nëpërmjet taksave, jo vetëm përmes faturave për shpenzimin e energjisë elektrike.
“Çmimi i energjisë elektrike do të rritet vit pas viti dhe në përfundim të ndërtimit të termocentralit do të arrijë në faturë një çmim që është 50% më i lartë se ky që sot konsumatori paguan. Çmimi i energjisë elektrike do të rritet për faktin se kostoja e ndërtimit të Termocentralit të ri do t’i shtohet dhe faturohet qytetarit. Kjo është kostoja që shihet, çfarë nuk shihet që analizat financiare tregojnë janë kostot eksternale të cilat nuk i paguan qytetari drejt nga xhepi por i paguan në mënyrë indirekte nëpërmjet taksave dhe buxhetit te shteti”, tha Abazi.
Abazi përmendi edhe disa nga kosto tjera që do i paguajnë qytetarët përmes taksave siç është kosto e shëndetit publik për 40- 50 vitet e ardhshme që janë pasojë e përdorimit të linjitet dhe lirimit të gazrave helmuese dhe pluhurit, hapja e minierave të reja për furnizim të termocentralit “Kosova e Re” dhe kjo përfshinë punët në terren, dislokimin dhe kompensimin e banorëve dhe masat mbrojtëse që duhet bërë në terren, kosto dhe dëmi që i shkaktohet konsumatorit duke e detyruar që të blej energjinë me çmim prej 95 euro për megavat nga operatori i “Kosovës së Re” dhe pamundësia që të funksionalizohet liberalizimi i tregut që do të kursente diku rreth 30 euro për megavat.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një nga mbledhje e Qeverisë ka njoftuar se gjatë muajit prill do të bëhet përzgjedhja e ndërtuesit të termocentralit, e për pak ditë do fillojë edhe ndërtimi i “Kosovës së Re”.
Kujtojmë që ndërtimi termocentrali “Kosova e Re” ka një vlerë prej 1.3 miliardë eurosh dhe ka kapacitet prodhimi prej 500 megavat energji elektrike. Banka Botërore vitin e kaluar ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, ndonëse vite më parë kjo bankë pati premtuar se do lëshojë një lloj garancie të riskut, që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët.