“Albin Kurti s’ka dosje kriminale të UÇK-së”, Thaçi i reagon deputetes

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja”

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, kishte cituar mbrëmë fjalët e nënkryetarit të partisë së Millosheviçit, Predrag Markoviç, për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku ajo kishte shkruar me fjalët e Markoviçit se “Kurti është kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe se nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i reagoi ashpër Kollçakut përmes “Facebook-it”.

Thaçi ka shkruar ka qenë nderi më i madh në jetën e tij që ta bart uniformën e UÇK-së dhe të jetë Drejtor Politik i saj.

Ai po ashtu ka theksuar se ajo uniformë dhe shërbimi në luftën tonë çlirimtare, nuk është hendikep, por nder, përparësi dhe krenari në çdo përballje me këdo.

“E pyes zonjën në fjalë: çfarë krimi ka bërë UÇK-ja? UÇK ka pasur vetëm një mision – dëbimin e Serbisë nga Kosova”, ka shkruar i pari i vendit.

 

Në anën tjetër deputetja Kollçaku sot përmes një postimi është arsyetuar se ajo që kishte shkruar ishte vetëm një citat duke thënë se nuk ishin fjalët e saja. “Një citat i postuar nga mediat serbe se ardhja e Albin Kurtit paraqet rrezik për Serbinë dhe me gjerë nuk ishin fjalë të mia, patjetër, por vetëm citim se sa shumë ka kundërshtarë të tij. Asnjë fjalë nuk është e imja në atë citim”, ka përsëritur ajo, por duke e fshirë postimin paraprak./21Media

 

Back to top button