Albulena Haxhiu në fund të muajit në Hagë, a janë të gatshëm Thaçi dhe Veseli për ta takuar?!

 
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu para pak ditësh konfirmoi se në fund të këtij muaji do të udhëtojë në Hagë për t’i vizituar gjithë ata që janë duke u gjykuar nga Dhomat e Specializuara.
Ajo këtë vizitë do ta realizojë bashkë me kryetarin dhe një anëtar të Komisionit për Legjislacion si dhe me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Haxhiu ka thënë se janë të hapur për t’u takuar me të gjithë ata që po akuzohen në Hagë.
“Ne do të shkojmë atje dhe do të vizitojmë të gjithë ata që pranojnë të na takojnë”, ka deklaruar Haxhiu.
Duke marrë parasysh faktin se disa prej ish krerëve të UÇK-së siç ka konfirmuar edhe vet Haxhiu, nuk kanë pranuar të takohen me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, kur ai ka qenë në vizitë vitin e kaluar, portali rtv21.tv ka kontaktuar me avokatin e akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini lidhur me atë se a janë të gatshëm, ish- presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli për t’u takuar me Haxhiun.
“Unë nuk e di nëse presideni Thaçi dhe të tjerët kanë shprehehur gatishmëri për ta takuar delegacionin e kryesuar nga Ministrja Haxhiu. Nëse personat të cilet mbahen në parburgim refuzojnë vizitën, atëherë vizita në asnjë mënyrë nuk mund të iu imponohet.”, ka thënë Qerkini për portalin rtv21.tv.
Portali rtv21.tv ka konktaktuar direkt edhe me Gjykatën Speciale, por një gjë e tillë sipas tyre nuk mund të bëhet publike.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat që u bëhen të paraburgosurve.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.
Ndryshe, deri më tani, Dhomat e Specializuara konfirmuar aktakuza për udhëheqësit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, deputetin Rexhep Selimi si dhe eprorin tjetër të UÇK-së, Salih Mustafën. Po ashtu, është arrestuar edhe Pjetër Shala si dhe për pengim në administrimin e drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve janë akuzuar krerët e Organizatës së Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./21Media

Back to top button