Albulena Haxhiu proteston para Ministrisë që e udhëheq

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka protestuar para objektit të kësaj ministrie, përkrah qindra protestuesve që kërkuan që vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare.
Qëllimi i pjesëmarrjes së ministres Haxhiu ishte mbështetja e kërkesave të protestuesve, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
“Vrasja e Marigonës na e shpërfaqë papërgjegjësinë institucionale përball kryerësve të veprave penale. Kjo vrasje është alarm për shoqërinë por edhe për secilin institucion, prandaj do të ndërmerren veprime serioze dhe urgjente. Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë neglizhuar raste të tilla të dhunës çka ka stimuluar që sjellje të tilla në vendin tonë të mos ndalen.
Janë shumë jetë të humbura e së fundi kemi rastin e Marigonës. Ne do të angazhohemi që të ketë drejtësi dhe dënim meritor për kriminelët. Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe ngacmimeve seksuale është njëra nga prioritetet e Ministrisë se Drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Ministria e Drejtësisë është zotuar se do të angazhohen në parandalimin e rasteve të çfarëdo lloji të dhunës.
“Vetëm me një gjyqësor të drejtë ku nuk lirohen të fuqishmit, por mbrohen viktimat, ne do të arrijmë një shoqëri të sigurt e të barabartë. Nuk duhet të kemi më thirrje të humbura, raportime pa veprim, veprime me vonesa, vonesa të kushtueshme me jetë njerëzish. Vrasja e Marigonës është pasojë e papërgjegjësisë institucionale prandaj revolta qytetare është e drejtë. Transformimi i organeve të drejtësisë me qëllim të vënies në nivel të përgjegjësisë dhe profesionalizmit është detyrë e domosdoshme. Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Askush nuk do të jetë mbi ligjin. Ky është përkushtimi ynë”, përfundon njoftimi.
Marshi protestues u mbajt para Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës./21Media

 

Back to top button